Mjekja: Ramiz Alia vdiq dinjitoz, u trajtua si ish-President
Zemra dhe frymëmarrja e ish-presidentit të fundit komunist në Shqipëri, Ramiz Alia, kanë ndaluar njëkohësisht. Arresti kardio-respirator e ka “mbërthyer” atë papritur rreth orës 6 e 15 minuta të mëngjesit të së premtes, duke mos u lënë asnjë mundësi mjekëve të Sanatoriumit që ta rikthenin në jetë. Mjekja primare pneumologe e spitalit të Sëmundjeve të Mushkërive, që është edhe shefja e repartit të dytë të Pneumonologjisë, Silvana Bala, që i ka qëndruar pranë gjatë gjithë kohës së shtrimit në spital ish-presidentit Alia, tregon bisedën e fundit me të, sjelljen e tij gjatë kohës së qëndrimit në spital, si dhe përgatitjet e trupit, para se të përcillej për në morgun e QSUT-së.
Cila ishte sëmundja që i mori jetën ish-presidentit Ramiz Alia?
Pacienti ishte një i sëmurë me diagnozën tromboemboli polmonare, me lokalizim qendror të arteries pulmonare, i cili konsiderohet i sëmurë i rëndë dhe jo vetëm ai, por kushdo që ka këtë diagnozë futet në reanimacion dhe ka ndjekje të dyfishtë, nga reanimatori dhe edhe mjeku pneumolog. Unë ndërkohë isha mjekja primare konsulente që e mora nga Spitali Infektivi i QSUT-së, bashkë me doktoreshë Alma Canin, që është mjeke reanimatore. Mbas një konsulte të bërë në nivel shefash, Infektivi dhe Pneumonologjia, dhe pasi i sëmuri u konsultua, u ekzaminua, u vlerësua nga ana klinike, u vendos që të dërgohet në reanimacion të pneumonologjisë në Sanatorium, meqë është reparti që ndjek këto patologji. Por, ndërkohë që vjen këtu, ekzaminohet dhe me angioskaner për vërtetimin e plotë të diagnozës, gjë e cila është kryer brenda 24 orëve të para të ardhjes së pacientit këtu. Pas këtyre ekzaminimeve dhe angioskanerit, u vërtetua plotësisht dyshimi i hedhur nga konsulta me shefin.
U mjekua pas konstatimit të diagnozës?
Mjekimi për këtë lloj patologjie është filluar menjëherë dhe ai ka qenë nën mjekim intensiv, por tromboembolia pulmonare është një sëmundje që bën pusera të herëpashershme të hedhjeve të reja të trombeve që ndodhen në organizëm. Kështu që hedhja e një trombi të madh të ri, i mori jetën pacientit sot në mëngjes rreth orës 6 e 15 minuta.
Ka qenë i shtruar më parë Ramiz Alia në këtë spital?
Ai ka qenë një herë tjetër i shtruar këtu në reanimacion para 7 vjetësh, me një pneumoni, por jo me këtë lloj patologjie që u shtrua këtë radhë.
Ndikoi mosha në përkeqësimin e sëmundjes?
Ka disa faktorë risku që e kanë sjellë këtë patologji, midis të cilëve edhe mosha, pasi me kalimin e saj fillojnë e prishen faktorët e koagulimit të gjakut, por edhe sëmundjet nga të cilat kishte kohë që vuante. Ai vuante nga prostata, por ndërkohë vuante edhe nga sëmundje kronike të mushkërive, për të cilat ai ishte diagnostikuar jashtë shtetit dhe që normalisht ne i konfirmuam sërish në skaner. Vihej re edhe një enfizemë polmonare, sëmundje kronike e mushkërive, një dëmtim i mushkërive. Pra, pacienti plus sëmundjes bazë që i mori jetën kishte edhe sëmundje bashkëshoqëruese.
Si ishte gjatë kohës së qëndrimit në spital, deri në momentet e fundit të jetës?
Ishte në gjendje fare të kthjellët dhe komunikonte fare normalisht, pavarësisht se ishte në suficiencë respiratore, ishte në kushte të regjimit të marrjes së oksigjenit me koshiencë, me ndërgjegje të ruajtur, deri në momentin kur ai ka bërë pusenë e dytë në spitalin tonë. Ai, në pusenë e dytë që ka qenë një tromb i madh, bëri një gjendje me hipotension, me ulje të shifrave të tensionit, me humbje të ndërgjegjes dhe mjekët reanimatorë në një konsultë të tyren vendosën ta intubonin, ta vendosin në frymëmarrje të drejtuar, por pacienti bëri arrest kardio-respirator.
Cilët ishin njerëzit që i qëndruan pranë?
Të afërmit e tij kanë qenë në spital që në momentin që ai ka mbërritur këtu dhe deri sa janë larguar sot. Kanë qenë vajza, mbesat dhe dhëndri. Normal, edhe familjarët nuk mund t’i mbajmë dot në reanimacion, por kanë qenë dy mjekë roje reanimatorë dhe dy mjekë roje pneumologë, pra ka qenë një staf i përforcuar për të përballuar situatën.
A mund të na tregoni si sillej Ramiz Alia me mjekët?
Ishte një person që i bindej fjalëve të mjekëve në mënyrë absolute, që nuk pati asnjë lloj pretendimi as për vendin ku u dërgua, as për terapinë që ne i vumë për komunikimin. Ishte befasues! Të krijonte një lloj lehtësie në marrëdhëniet që mua më ka befasuar dhe familjarët ishin shumë të komunikueshëm, me falenderime maksimale. Dje pasdite, para se të largohesha nga puna, shkoj e shikoj dhe i them: “Unë po iki, ke doktoreshë Almën, është mjeku tjetër reanimator dhe çfarë t’ju duhet ndonjë gjë na thoni”. Dhe ai më tha: “Ju keni një personel të mrekullueshëm, mjekë dhe infermierë, jam i mrekulluar nga shërbimi që më kanë bërë”.
E priste se do të vdiste?
Nuk e priste, ngaqë edhe pati një përmirësim goxha të madh nga dita e hënë që erdhi dhe deri dje pasdite. Ishte goxha mirë, por kjo lloj sëmundje është shumë e pabesë. Ndërsa familjarët, në një farë mënyre ishin bërë gati që me shtrimin në Infektiv. Në një farë mënyrë ishin përgatitur.
Pësoi ndonjë transformim në fytyrë?
Për moshën që kishte, 86 vjeç, nuk paraqiste atë konstrukt biologjik që kishte. Ndoshta ishte edhe efekti i oksigjenit që e koloronte, i jepte pak ngjyrë.
Si doli trupi i pajetë nga spitali, ku u përgatit?
Kur e pashë që e kishin veshur dhe bërë gati, më erdhi keq. Është dërguar në morg se pritet të vijnë edhe dy fëmijët e tjerë. Të gjitha shërbimet ia ka bërë personeli. E kanë larë, e kanë zhveshur, e kanë veshur, e kanë rregulluar. Dhe ai ka shkuar në morg vetëm për t’u ruajtur derisa t’i vijnë familjarët, për të bërë ceremoninë mortore. Ai u trajtua si një ish-president. Kishim urdhër të prerë që informacioni të jepej vetëm në nivele zyrtare, ai person do trajtohej si një ish-president.
Si reaguan familjarët kur vdiq?
Edhe kur vdiq, familjarët treguan vetëpërmbajtje, ishin njerëz dinjitozë, të sjellshëm. Edhe ai vetë ishte pa pretendime. Ngaqë iu ul niveli i proteinave, unë i thosha që ha pak ushqim, sepse nuk ishte as tekanjoz, e pranonte ushqimin e spitalit.
Mezini: Vuante nga një sëmundje e vjetër
Nëndrejtori i Sanatoriumit, Arjan Mezini, një nga mjekët që ka ndjekur nga afër gjendjen shëndetësore të ish-presidentit Ramiz Alia, ka deklaruar se ai vuante nga një sëmundje e hershme në mushkëri, gjë që ka sjellë dhe përkeqësim kohët e fundit. “Zoti Alia është transferuar në spitalin tonë katër ditë më parë nga Spitali Infektiv. Pas ekzaminimeve që iu kryen, u konstatua diagnoza tromboembolia pulmonare, me një tromb të madh në arterien kryesore pulmonare. Menjëherë u vendos në mjekim intensiv dhe sot si pasojë e përsëritjes së trombit nuk patëm mundësinë për ta ndihmuar më tutje. Me sa di unë, para 1 jave apo 10 ditësh është shtruar në Spitalin Infektiv për probleme pulmonare, mungesë oksigjenimi dhe ne u thirrëm në konsultë. Në historik do referohet që vuante nga një sëmundje të themi malinje të prostatës, që mundësia më e madhe ka qenë komplikacioni i sëmundjes malinje, mpiksja e gjakut në mushkëri. Është një sëmundje e vjetër, të paktën siç referojnë edhe familjarët dhe vetë zoti Aliaj në një histori 4-5 vjeçare”, - u shpreh Mezini. Nëndrejtori i Spitalit të Sëmundjeve të Mushkërive shtoi se, me kërkesë të familjarëve, trupi i pajetë i Ramiz Alisë do të transferohet në morgun e QSUT-së. Doktori sqaroi se vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili është interesuar në Sanatorium që të kryen të gjitha procedurat post-mortore.
Trupi “ruhet” në morgun e QSUT
Ambulanca me trupin e pajetë të Ramizë Alisë, u nis drejt morgut të spitalit “Nënë Tereza”, rreth orës 9:23 minuta, pas kërkesës së familjarëve. Mjekët, që janë marrë me të gjitha procedurat post-mortore të të ndjerit Alia, sqaruan se shkaqet e vdekjes së tij janë spitalore, ndaj për këtë arsye trupi i pajetë nuk do t’i nënshtrohet autopsisë.
Ministri Vasili ka ndjekur trajtimin e Ramiz Alisë
Trajtimi mjekësor i Ramiz Alisë është ndjekur edhe nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, që nga koha e shtrimit tek Infektivi e deri në Sanatorium. Nëpërmjet një njoftimi, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se vetë ministri Petrit Vasili ka ndjekur me vëmendje trajtimin mjekësor të të ndjerit Ramiz Alia, ndërkohë që një ekip mjekësor ka vëzhguar kurimin e tij.