E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta aktori Vasillaq Vangjeli

Aktori ka luajtur mbi 100 role në teatër, kinematografi dhe estradë për rreth 45 vite.

Disa nga rolet më të spikatura, janë ai i personazhit Koçi tek “Zonja nga qyteti”, baletmaestrin te “Mirela”, apo për interpretimet te “Shoku ynë Tili”,  “Dordoleci”, “Donkishoti”, etj. Për herë të fundit, Vangjelin e duartrokitëm në interpretimin e tij në shfaqjen “Harvey” të shfaqur premierë në Teatrin e Metropolit, aty ku aktori për vite me radhë mori duartrokitjet e shumta të publikut. Pasi mbaroi Akademinë e Arteve në vitin 1975, roli i tij i parë në Teatrin Popullor ka qenë roli i një shoferi te drama "Lezia", me regji të Piro Manit.

“Më ka ngelur peng gjithë jetën. Unë isha më shumë aktor i dramës, sesa i komedisë. Aksidentalisht kalova në komedi. Më ka pëlqyer tërë jetën drama dhe tërë jetën e kam parë veten mes teatrit dhe komedisë”, është shprehur Vasillaq Vangjeli në një intervistë dhënë pak kohë më parë. Vasillaq Vangjeli ka lindur në Fier në 19 shkurt 1948, nga një familje me origjinë nga Përmeti dhe i rritur në Tiranë.

Në vitin e tretë të mjekësisë aktori e braktis shkollën për të hyrë në Institutin e Lartë të Arteve. Ndër rolet e tij mund të përmendim: komedinë “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, “Tre ditët e qametit” të L. Qafezezit, “Mimoza pyeti zemrën”, telekomedi nga T.Miloti, “Tre dhëndurët “ e D. Bubanit, “Mirela” nga L. Bungo, “Një burrë me dy gra” nga R. Kunei, “Divorci” nga Sh. Mita, “Lezeti i kolltukut dhe i krevatit” nga M. Pertgui, komedinë “Gjashtë vjet shtatzënë”, etj.

Ndërsa në kinematografi ka interpretuar në filmat: “Toka e përgjakur”, e më pas me kryerolin e Koçit në filmin “Zonja nga Qyteti”, e me radhë në filmat “Pylli i Lirisë”, “Shoku ynë Tili”, “Kur ndahesh nga shokët”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Radiostacioni”, “Yjet mbi Drin”, “Ëndërr për një karrige”, “Dasma e shtyrë”, “Ne vinim nga lufta “, “Rrethimi i vogël”, etj. Aktori i humorit, Vasillaq Vangjeli është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të parë.  /Start/

                                                                                             2011-09-27 09:57
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›