E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta gazetari sportiv, Saimir Demi

TIRANË, 23 mars /ATSH/ Gazetari i njohur sportiv, Saimir Demi është ndarë sot nga jeta në moshën 57-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.

Prej kohësh pjesë e RTSH-së, Demi ka punuar edhe në gazeta të ndryshme sportive dhe ka qenë drejtues për disa vite.

I njohur për zërin kritik ndaj fenomeneve negative në sport, Saimir Demi do të mbahet mend gjatë për kontributin e tij në lëmin e gazetarisë sportive, për respektin që impononte kudo dhe për batutën e tij të mprehtë.

Edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit Saimir Demi.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të Saimir Demit, një gazetar i përkushtuar dhe një njeri i jashtëzakonshëm. Me të kemi ndarë biseda, analiza dhe opinione për sportin, veçanërisht për futbollin, një pasion që e udhëhoqi gjithë jetën e tij profesionale”, u shpreh Duka.

“Një njeri i dashur dhe një profesionist i palodhur, Saimiri do t’i mungojë jo vetëm familjes së tij, por edhe komunitetit të gazetarëve dhe sportdashësve, ku kontribuoi me përkushtim për tre dekada”, thekson Duka.

Presidenti i FSHF-së i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, bashkëshortes dhe djalit të tij, si dhe të gjithë miqve që i qëndruan pranë.

“U prehsh në paqe, Saimir! Do të të kujtojmë gjithmonë me respekt dhe dashuri”, përfundon mesazhin e tij, Armand Duka.

Ngushëllime shprehu edhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.

“Sot u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme një prej gazetarëve më të njohur sportivë dhe një mik i mrekullueshëm, Saimir Demi. Saimir Demi ishte një profesionist i vërtetë, shumë i talentuar dhe mbi të gjitha shumë i përgjegjshëm në punën e tij”, thekson KOKSH.

“Largimi nga kjo jetë është një humbje e madhe për nënën, bashkëshorten, djalin, vëllain, miqtë dhe për gazetarinë. Në emër të Komitetitit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe personalisht të Presidentit Fidel Ylli, i shprehim ngushëllimet familjes, miqve dhe të gjithë komunitetit sportiv. Prehu në paqe Mik”, përfundon mesazhi i KOKSH.

/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›