70-vjetori i Shërbimit Meteorologjik Ushtarak

TIRANË, 23 mars /ATSH/ Sot është një ditë e shënuar dhe e rëndësishme në histori për Shërbimin Meteorologjik Ushtarak, pasi ky vit përkon me 70-vjetorin e krijimit të këtij Shërbimi.
Prej vitit 1955 Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ka qenë dhe është strukturë e Forcës Ajrore dhe ka realizuar detyra që lidhen me matjen e elementeve meteorologjike dhe kryerjen e parashikimit të motit, pa ndërprerje gjatë 24 orëve në 365 ditë të vitit, në interes të Forcave të Armatosura, Forcës Ajrore në veçanti si dhe strukturave të tjera shtetërore.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak ka dhënë dhe vijon të japë një rol të rëndësishëm në interes të Forcave të Armatosura dhe komunitetit për parashikimin e motit.
Ky përvjetor përkon edhe me mbështetjen që ky shërbim ka marrë nga Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA dhe Komandanti i Forcës Ajrore për modernizimin e tij me teknologji të kohës me qëllim arritjen e standardeve të NATO-s, për të qenë të ndërveprueshëm me strukturat homologe të kësaj strukture.
Në këtë përvjetor një falenderim dhe urim i veçantë shkon për të gjithë ata që janë pjesë e këtij shërbimi; por njëkohësisht për të gjithë ata që kanë shërbyer dhe kontribuar në vite në këtë strukturë; për krijimin, ngritjen, forcimin, transformimin dhe zhvillimin e tij.