E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta ish-deputeti i PS-së, Andis Harasani

TIRANË, 9 mars/ATSH/ Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani është ndarë nga jeta në moshën 54-vjeçare.

Bashkëshortja e tij, Suela Kapllani Harasani u shpreh në një postim  në rrjetet sociale se Andis Harasani nuk ia doli të fitonte betejën me kancerin.

“Andisi ynë luftoi për jetën me forcën, besimin dhe vendosmërinë që e karakterizonte gjithmonë. Ai luftoi fort për ne dhe nuk rreshti kurre së dhuruari dashuri, mbështetje e forcë. Fatkeqësisht, e humbëm betejëm kundër kancerit. Unë, Thea dhe Henry jemi përjetësisht mirënjohë për këtë rrugëtim jete që krijuam bashkë. Ti do mbetesh në zemrat tona njeriu ynë më i shtrenjtë, me humor të pakrahasueshëm, gjithë mençuri e guxim për të ecur perpara. Do na mungosh pafundësisht, dashuria jonë!”, shprehet ajo.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-deputetit.

‘U prehsh në paqe Andis Harasani!’, shkruan Balla në rrjetet sociale.

Andis Harasani ka drejtuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) nga viti 2002 deri në vitin 2005.

Gjithashtu, Harasani ka qenë deputet i PS në periudhën 2005-2009.

Në vitin 2012, Harasani dha dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe u shpërngul në SHBA.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›