E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga jeta sopranoja gjermane

21/08/2009  Hildegard Behrens

Një soprano dramatike dhe aktorja më fine e skenës operistike. Të tillë e cilësojnë sopranon gjermane Hildegard Behrens ata që kanë shijuar interpretimet e saj. George Bernard Shaw vlerëson gjestet elokuente dhe të bukura të artistes, e cila sipas tij arrin të shfaqë si një instrument zërin dhe trupin e saj dhe të mund t’i bëjë që të dy pjesë të dramës së madhe muzikore. Sopranoja gjermane e njohur për rolet e saj në operat e Wagner dhe Strauss, ka vdekur në një spital të Tokios në moshën 72-vjeçare në Japoni. Behrens ndodhej në Japoni për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Verore në Kusatsu, por është shtruar në spital të dielën, sapo ka arritur në Japoni, ndërsa ka mbyllur sytë dy ditë më vonë. E lindur në Varel të Gjermanisë në vitin 1937, Behrens filloi mësimet për muzikë në konservatorin gjerman, ndërsa më vonë ishte studente e drejtësisë. Ajo bëri debutimin e parë profesional në opera më 1971 dhe më pas interpreton në festivalin e Salzburg-ut, për të vazhduar shfaqjet nëpër të gjitha shtëpitë e operës nëpër botë, përfshirë edhe atë të “Metropolitan” në Nju Jork dhe “Covent Garden” në Londër. Gjatë viteve 1989-1992 është vlerësuar me tri çmime “Grammy” për paraqitjen më të mirë në opera. Funerali i Behrenes do të mbahet në Vjenë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›