E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enti i Banesave, gati ndërtimi i 35 apartamenteve për të pastrehët

21/08/2009  Korça numëron 1450 të pastrehë. Nisin kreditë për ata që jetojnë në shtëpinë e ish-pronarëve

Korçë-Tashmë nga dita në ditë pritet që të nisë ndërtimi i një pallati 8- katësh, me 35 apartamente, i cili do të vihet në shërbim të të pastrehëve. Fondet për këtë investim do të jenë të Entit Kombëtar të Banesave, dega Korçë. Aktualisht kanë përfunduar të gjitha procedurat, është shpallur firma fituese dhe njëherazi është nënshkruar edhe kontrata me firmën zbatuese. Ndërkohë Bashkia e Korçës ka miratuar lejen e ndërtimit për këtë objekt, çka do të thotë se gjithçka është gati. Enti Kombëtar i Banesave vazhdon procedurat edhe për dhënien e kredive për familjet e pastreha të kategorisë së parë, të cilët janë ata që banojnë te shtëpitë e ish- pronarëve, ku deri tani kanë aplikuar më shumë se 58 familje.

35 apartamente për të pastrehët

Afati për ngritjen e këtij pallati do të jetë rreth një vit, çka do të thotë se në fillim të vitit tjetër, 35 apartamentet do të jenë në dispozicion të të pastrehëve, të cilët do të përzgjidhen duke vlerësuar për çdo njërin prej tyre kushtet reale të strehimit. Informacioni në fjalë është bërë i ditur nga Drejtorja e Entit të Banesave në Korçë, Bruna Treska, e cila deklaroi se tashmë pritet vetëm fillimi i punimeve, e cila mund të jetë edhe dita e nesërme. Sipas Treskës, pallati i ri do të ngrihen te ish-Korpusi i ushtrisë, atje ku një vit më parë u ngritën edhe dy pallate të tjera për të pastrehët. Nga të njëjtat burime mësohet gjithashtu se pallati do të zërë një sipërfaqe ndërtimi prej 378 metra katrorë, ndërsa ndërtesa do të jetë e lartë 24. 4 metra. Fondi që do të realizojë këtë investim është 82 milionë lekë. Ndërkaq Treska vuri në dukje se 35 apartamentet do të jenë 2+1 dhe 1+ 1, kjo me qëllim për t’u ardhur në ndihmë edhe familjeve të pastreha, duke pasur parasysh edhe numrin e anëtarëve të familjes, ndërsa katet e para, shtoj Treska, do të jenë të destinuar për dyqane, të cilat do të dalin në shitje. Ndërkaq Treska ka bërë të ditur edhe vijimësinë e procesit të aplikimeve për marrjen e kredive nga ana e të pastrehëve të kategorisë së parë.

Kreditë

Gjatë viteve të fundit Enti Kombëtar Banesave në Korçë ka ndërtuar disa pallate për të pastrehët, por qyteti i Korçës ende vazhdon të mbetet një nga qytetet me numër të madh familjesh të pastreha, gjithsej 1450. Në numrin total të të pastrehëve zënë vend edhe ato familje që për vite të tëra kanë jetuar dhe jetojnë te shtëpitë e ish- pronarëve. Megjithatë, tashmë qeveria shqiptare kësaj kategorie do t’i sigurojë dhënien e kredisë dhe shlyerjen e saj pa interesa (ose me interes zero), çka do të thotë që kredimarrësi do të kthejë po aq lekë sa ka tërhequr nga banka. Sipas Treskës, këto kredi përfitohen nga të pastrehët e kategorisë së parë, të cilat kanë favorin që ta shlyejnë në harkun kohor të 30 viteve. Gjithkush prej aplikantëve duhet të dorëzojë dokumentacionin pranë këtij enti, ku kjo e fundit ia përcjell Drejtorisë së Përgjithshme të Entit Kombëtar të Banesave për miratim. Në qarkun e Korçës do të miratohen 195 kredi të tilla, ku çdo përfitues kredie ka të drejtën të sigurojë vetë banesën. Gjithsesi pronarët e vërtetë të shtëpive po shohin se tashmë mund të kthehen në shtëpitë e tyre.

Vepror Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›