E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, tregon pretendimet për qeverinë

21/08/2009  “Asnjëherë nuk kam folur në numrin njëjës”

Partia Republikane duket se do të kërkojë një përfaqësim më të madh në qeverinë e ardhshme. Kryetari i PR-së Fatmir Mediu ka deklaruar për mediat se aspiratat e forcës politike që drejton mund të kufizohen në numrin shumës. Ai thotë se ka pasur një takim jozyrtar me Kryeministrin Sali Berisha, ku është biseduar parimisht mbi përfshirjen e republikanëve në qeveri. Mediu bën me dije se gjatë këtij takimi me kreun e qeverisë është folur në parim për sa i përket organizimit të qeverisë së ardhshme ku kemi lënë që brenda muajit gusht të mbyllen negociatat dhe përcaktimet e gjithë secilit subjekt në qeverisjen e ardhshme. “Kam bindjen se çdo gjë do të funksionojë në bazë të kontributit që ka dhënë gjithsecili subjekt në rezultatin e zgjedhjeve. Unë asnjëherë nuk kam folur në numrin njëjës, PR-ja duhet të përfaqësohet politikisht dhe janë strukturat ato që do të vendosin se kush do të jetë përfaqësia e PR-së në qeveri”, deklaroi kryerepublikani Mediu. Takimi zyrtar mes lidershipit të PD-së dhe PR-së, ku do të diskutohej mbi përfshirjen e republikanëve në qeverinë e ardhshme, priteshin të zhvilloheshin të shtunën e kësaj jave. Por, shtyrja e negociatave mes PD-së dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim sollën edhe shtyrjen e negociatave mes dy partive të djathta. Në këto negociata demokratët dhe republikanët do të bisedonin rreth përfaqësimit të PR-së në kabinetin e ri qeveritar. Palët do të parashtronin pretendimet e tyre mbi shtrirjen e këtij përfaqësimi, si në nivel ministrimi, ashtu edhe në nivele të dyta e të treta të qeverisë së ardhshme.

Partia Drejtësi për Integrim

Negociata për të afruar deputetin Shpëtim Idrizi

Partia Drejtësi për Integrim, mbrojtëse e interesave të komunitetit çam, pjesë e koalicionit të djathtë “Aleanca e Ndryshimit”, mund të tërheqë pranë vetes deputetin e Partisë Socialiste Shpëtim Idrizi. Këtë e ka konfirmuar vetë kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini, i cili pohon se po zhvillohen negociata me ligjvënësin socialist. Sipas Muhedinit, ky afrim i mundshëm vjen edhe për shkak të origjinës çame të Idrizit dhe që për këtë arsye shpesh herë është shprehur në Kuvend pro kësaj çështje delikate. “Për programin e Partisë Drejtësi për Integrim kanë paraqitur interes disa deputetë, të cilët janë edhe çamë. PDI është një parti mbarëkombëtare shqiptare dhe luftën kryesore e bën për të drejtat e njeriut. Shpëtim Idrizi e ka me dëshirë çështjen kombëtare. Ka dhënë edhe kontribut për çështjen e shqiptarëve çamë dhe unë mendoj se Shpëtim Idrizi është më afër se të gjithë deputet e tjerë që të aderojë në partinë tonë”, ka deklaruar Muhedini për mediat televizive. Sipas tij, para se të vendoset një gjë e tillë, patjetër duhet marrë pëlqimi i vetë deputetit Idrizi, por edhe mbështetja nga strukturat e partisë. Po ashtu, Muhedini thekson se që të arrihet përfshirja e deputetit socialist Shpëtim Idrizi në PDI, duhet që ai të aprovojë dhe të punojë në bazë të programit dhe statutit që ka PDI-ja. “Vendimmarrjen e marrin strukturat e partisë. Do vendosim kushtet që ka partia, ka një statut, ka një program. Në qoftë se pranohen dhe mbi të gjitha çështja kombëtare, atëherë do t’i marrim në partinë tonë”, deklaroi kreu i PDI-së Tahir Muhedini.

Reagimi i Idrizit

Deputeti i Partisë Socialiste, Shpëtim Idrizi, ka hedhur poshtë çdo mundësi që ai të braktisë PS-së dhe t’i bashkohet PDI-së. Në një prononcim për mediat. Ai ka përgënjeshtruar deklaratën e kryetarit të PDI-së Tahir Muhedini. Idrizi ka deklaruar se ai vazhdon të mbështesë dhe të mbrojë çështjen çame në Parlament duke qenë pjesë e strukturave dhe grupit parlamentar të Partisë Socialiste. “Nuk kam nevojë të bashkohem me PDI-në për të mbrojtur çështjen çame. Këtë çështje do ta mbrojë vetë në Parlamentin e ri”, deklaroi ai. Në këtë mënyrë deputeti socialist ka mohuar të gjitha zërat dhe pretendimet për negociata të mundshme me forcën politike që mbron interesat e komunitetit çam në Shqipëri dhe që është pjesë e aleancës politike, që drejtohet nga PD-ja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›