E Enjte, 5 Nëntor 2026

“Ndal trafikimit të qenieve njerëzore”, çelet ekspozita me 400 krijimet artistike të nxënësve

“Të lutem jo mua! Unë jam thjesht një vajzë e vogël”, “Ndal trafikimit të qenieve njerëzore”, këto e të tjera mbishkrime, ishin shkruar krah portreteve të përvuajtura, të punuara nga nxënës të shkollave të ndryshme. 400 krijimet artistike u prezantuan në ekspozitën përmbyllëse të aktivitetetit “Care and Dare”, “Kujdes dhe guxo”, i cili në fokus ka edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve mbi parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore.
Ambasadore e Holandës në Tiranë Guusije Korthales: “Nëse arti nuk do të kishte emocione nuk do të ishte art. Ai është mënyra më e mirë për të folur për çështjet delicate. Sot jemi për të folur për shtypjen e grave dhe vajzave që përfundojnë viktima të trafikimit. Kur shikoja këto piktura në udhëtimet që kam bërë në Shqipëri, ndoherë mbetesha pa fjalë. Dëgjoja nga fëmijë, të rinjtë që kishin njohur e që ishin trafikuar. Këto punime tregojnë se ka akoma njerëz që duan t’ia dinë për të ardhmen e këtij vendi”.
Teksa shprehu vlerësimet e saj për punimet e nxënësve, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi u shpreh se familja dhe institucionet përkatëse duhet të rrisin vëmendjen e tyre ndaj kësa dukurie. Nga ana tjetër, avokatja e popullit, Erinda Ballanca, tha se ekspozita të tilla janë një formë e mirë për të sensibilizuar shoqërinë.
Ky aktivitet u organizua nga Qendra “Tirana Art” dhe bëri bashkë nxënës nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Të gjithë së bashku për të njëjtin qëllim, për t’i thënë “Ndal” trafikimit të qenieve njerëzore. 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›