E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama mandatohet të ngrejë Ministrinë AI, Bardhi: Antikushtetuese. Cilat kritere përmbush “Diella” për ministre?

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e ka cilësuar “qesharake”, por edhe antikushtetuese ngritjen e një ministrie virtuale, që do të jetë ajo e “Diellës” për prokurimet publike.

Bardhi iu referua dekretit të fundit të presidentit Bajram Begaj, që e ngarkon kryeministrin Edi Rama me ngritjen dhe funksionimin e një Ministrie virtuale të Shtetit, një strukturë e posaçme e qeverisë, e cila do të operojë me mbështetjen e Inteligjencës Artificiale.

Sipas kreut të grupit demokrat, “Diella” nuk i përmbush kriteret për të qenë ministre.

“Dekreti i Presidentit të Republikës për të ngarkuar kryeministrin me ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual “Diella”, përveçse qesharak, është tërësisht antikushtetues. Ai bie ndesh me nenet 96, 97, 102 dhe 103 të Kushtetutës.

Ministër mund të emërohet: (i) shtetasi shqiptar; (ii) që ka mbushur 18 vjeç; dhe (iii) është i aftë mendërisht (shih nenet 45 dhe 103 të Kushtetutës). Cilat nga këto cilësi ka ministrja “Diella”?! Karagjozllëqet e kryeministrit nuk mund të shndërrohen në akte juridike të shtetit shqiptar”, shkruan Bardhi në Facebook.

Ndërkohë, Presidenca ka sqaruar se dekreti vetëm i ka njohur kryeministrit një funksion specifik, siç është ai i adoptimit të Inteligjencës Artificiale në proceset qeverisëse, dhe se “Diella” nuk është dekretuar si ministre.

Diella” u prezantua dje si një risi në politikën botërore dhe do të merret me prokurimet publike, për ta bërë procesin e tenderimit, ashtu siç e cilësoi Rama, “të pakorruptueshëm”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›