E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohen dy persona të kërkuar ndërkombëtarisht, njëri nga Italia dhe tjetri nga Kosova

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Policia e Shtetit ka vijuar operacionin ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet homologe për lokalizimin, ndalimin dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në Tiranë dhe në Rinas janë ndaluar dy shtetas të kërkuar nga autoritetet e drejtësisë në Itali dhe Kosovë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin për Policinë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, arrestuan me qëllim ekstradimi në Itali shtetasin E. D., 47 vjeç, lindur në Kavajë.

Sipas Policisë së Shtetit, Gjykata e Bolonjës ka lëshuar në maj të këtij viti një urdhër arresti ndaj 47-vjeçarit, i dyshuar për pjesëmarrje në bashkëpunim kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Autoritetet italiane e akuzojnë atë se gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka organizuar dhe kryer blerjen, transportimin, importimin, magazinimin dhe mbajtjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike, përfshirë marijuanë, hashash dhe kokainë, të trafikuara drejt Italisë me qëllim shitjen.

Ndërkohë, në Rinas u arrestua me qëllim ekstradimi në Kosovë shtetasi kosovar H. K., 38 vjeç.

Sipas të dhënave të Policisë, Gjykata e Apelit e Pejës e ka dënuar në vitin 2022 me 1 vit e 6 muaj burgim për falsifikim të kartëmonedhave.

H. K., në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se gjatë vitit 2021 ka tentuar të hedhë në qarkullim në Pejë rreth 15 mijë dollarë të falsifikuar.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me autoritetet homologe në Romë dhe Kosovë për përfundimin e procedurave të ekstradimit të dy shtetasve. /ATSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›