Ndalohen në Tiranë dhe Rinas dy persona të kërkuar nga Italia dhe Kosova

Në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, Policia e Shtetit ka ndaluar në Tiranë dhe në Rinas dy shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht, për llogari të autoriteteve të drejtësisë në Itali dhe Kosovë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin për Policinë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Tiranë, kapën dhe arrestuan me qëllim ekstradimi në Itali shtetasin Ervin Dakoli, 47 vjeç, lindur në Kavajë.
Gjykata e Bolonjës, në muajin maj 2026, ka lëshuar urdhër arresti ndaj tij për pjesëmarrje në bashkëpunim kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Sipas autoriteteve italiane, Dakoli akuzohet se gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka organizuar dhe kryer blerjen, transportimin, importimin, magazinimin paraprak dhe mbajtjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike, konkretisht marijuanë, hashash dhe kokainë, të trafikuara në Itali me qëllim shitjen.
Ndërkohë, në Rinas u arrestua me qëllim ekstradimi në Kosovë shtetasi kosovar Hamdi Krasniqi, 38 vjeç.
Gjykata e Apelit e Pejës, në vitin 2022, e ka dënuar Krasniqin me 1 vit e 6 muaj burgim për falsifikim të kartëmonedhave.
Sipas autoriteteve të Kosovës, gjatë vitit 2021, Krasniqi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka tentuar të hedhë në treg në Pejë rreth 15 mijë dollarë të falsifikuar.