Ndalohet për korrupsion kryetari i Komisionit të Strehimit në Bashkinë e Elbasanit
ELBASAN - Policia e Elbasanit ka ndaluar sot Kryetarin e Komisionit të Strehimit pranë Këshillit Bashkiak të Elbasanit nën akuzën e korrupsionit pasiv. Sipas policisë, ndalimi i 50 vjeçarit, Kujtim Hazbiu, erdhi pas një sërë denoncimesh nga qytetarë të Elbasanit se ai iu ka marrë para në këmbim të miratimit të shtëpisë në komision.
Policia ka ekzekutuar sot urdhër- ndalimin e lëshuar nga prokuroria për funkionarin e lartë të pushtetit vendor. Ai gjendet në paraburgim në pritje të daljes para togave të zeza për masën e arrestit.
Nga ana e saj prokuroria e rrethit bën të ditur se po punohet për dokumentimin e fakteve mbi abuzimet e Hazbiut. Për momentin ka vetëm denoncime për zyrtarin, i cili është tashmë nën akuzë për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Krerë të bashkisë nuk pranojnë të prononcohen për këtë çështje dhe thonë se do të presin vendimin e gjykatës dhe më pas të procedojnë për kontratën e punës me kreun e Komisionit të Strehimit.
************
Arrestohet drejtoresha e Tatimeve në Fier
TIRANË - Katër shtetas, mes tyre edhe drejtoresha e Tatim-Taksave në Fier janë ndaluar nga policia nën akuzën e vjedhjes dhe shpërdorimit të detyrës. Drejtoresha ,Nevila Bami kishte pak ditë që kishte marrë këtë post, por më parë ajo ka qenë inspektore e Tatimeve në Fier kohë kur është kryer edhe investigimi nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik që çoi në prangosjen e saj. Po kështu Bami ka qenë kandidate për deputete e PD-së në qarkun e Fierit.
Me anë të një njoftimi zyrtar, policia njoftoi sot për arrestimin e drejtoreshës së Tatimeve dhe tre ekonomistëve të tjerë, me akuzën e falsifikimit dhe shpërdorimit të detyrës por nuk tha detaje për lidhjet mes tyre dhe shkeljet konkrete që kanë bërë.
"Drejtoria e Policisë së Tiranës në kuadër të operacionit 'Fshehja' ekzekutoi vendimin e Gjykatës së Tiranës, në ngarkim të 4 shtetasve, të dyshuar për 'falsifikim të vulave'dhe 'vjedhjes së kryer duke shpërdoruar detyrën', kryer në bashkëpunim", thuhet në njoftim.
Të arrestuarit janë: Nevila Bami, 34 - vjeç, lindur dhe banues në Lushnje, me profesion Ekonomiste. Shkëlqim Sako, 56 - vjeç, banues në Tiranë me profesion Ekonomist. Ajeta Shkëmbi, 43 - vjeç, banuese në Tiranë, me profesion Ekonomiste.
Marjana Aleko Palla, 40 - vjeç, banuese në Tiranë, me profesion Ekonomiste.
Sipas policisë, ndalimi i tyre u bë pas një kontrolli të ushtruar në banesat e tyre , ku u gjendën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi kompjuterash, si dhe një serë dokumentesh financiare. Ndaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masën e sigurisë 'Arrest shtëpie' dhe 'ndalim të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarive profesionale' për të katërt shtetasit.