Demarkacioni shqiptaro-shqiptar
Kufiri mes Kosovës dhe Maqedonisë është shënjuar nëpërmjet një marrëveshjeje dypalëshe qeveritare dhe ratifikimit të saj në parlamentet përkatëse. Kosova ka fituar kështu autoritetin për të qenë ajo pala që vendos për kufijtë e vet. Ndërsa Maqedonia ka plotësuar një kusht tjetër për të avancuar në integrimin drejt BE-së.
Problemi i kufijve nuk ka kaluar pa debate dhe kundërshti. Po të ishte në dorë të të dy palëve, që nënshkruan marrëveshjen, kufiri nuk do të ishte vendosur edhe për shumë kohë. Në Kosovë janë dashur dy seanca parlamentare dhe ndërhyrja e fuqishme e faktorit ndërkombëtar që Parlamenti të arrijë numrin e nevojshëm të votave për të ratifikuar marrëveshjen.
Ngjashëm në Maqedoni opozita kryesore e ka kundërshtuar ashpër marrëveshjen me pretendimin për lëshim territoresh në favor të palës tjetër.
Ajo që të bën përshtypje ka qenë një deklaratë e Kryeministrit maqedonas, Gruevski, i cili ka thënë se "asnjëherë dhe me asnjë lloj çmimi nuk do të nënshkruanim diçka, nga e cila do të humbnim një milimetër, e jo më diçka më shumë nga territori i Maqedonisë".
Një patetikë kjo nacionaliste, homogjene e përdorur për interesa pushteti, edhe pse dihet që pjesa kufitare e diskutueshme është puro shqiptare.
Në Kosovë, asnjë prej faktorëve kryesorë politikë nuk ka mohuar, e as nuk ka pohuar, faktin se Maqedonisë i është falur një pjesë toke. Çka do të thotë se kjo gjë ka ndodhur.
Qeveria e Kosovës duhet ta pranojë këtë fakt dhe të bindë qytetarët se në këtë marrëveshje luhen interesa shumë të rëndësishme shtetërore që kanë të bëjnë me ecjen përpara. Nuk është se kjo gjë ka ndodhur me Kosovën. Pothuajse asnjë vend në Evropë nuk ka qenë i kënaqur me kufijtë e tij në momentin kur janë vendosur.
Parlamenti Kosovar e ka ratifikuar marrëveshjen me 81 deputetë, ose mbi 2/3 e numrit të deputetëve, ndërsa ai maqedonas me vetëm 72 të vota ose shumicën absolute. Të dy parlamentet kanë numër të njëjtë deputetësh nga 120.
Por, duke marrë parasysh faktin se Parlamenti i Kosovës funksionon me 100 deputetë për shkak se 20 vende janë të rezervuara për pakicat, ndërkohë që pakica serbe nuk është përfshirë në proces, i bie që marrëveshja të ketë gjetur mbështetje shumë më të gjerë në Kosovë. "Bujaria" shqiptare vjen natyrshëm prej faktit se në të dy anët e kufirit jetojnë shqiptarë dhe se kufiri është realisht shqiptaro-shqiptar.
Milimetrat e Gruevskit janë në fakt kilometra shqiptarë. Tokat e fshatit kosovar Debelldeh nuk i janë falur as atij, e as një shteti të konsideruar vetëm si i sllavëve apo i helenëve të supozuar, por një shteti që, ose do të jetë i përbashkët me shqiptarët, ose nuk do të ekzistojë si i tillë. Kjo është logjika e funksionimit të shtetit të Maqedonisë.
Kosova, me pak fjalë, i ka falur pjesës shqiptare të Maqedonisë disa hektarë tokë në këmbim të marrëdhënieve diplomatike dhe krijimit të kushteve për të shkuar drejt njohjes së plotë ndërkombëtare.
Në planin pragmatist kjo është një lëvizje e pranueshme që meriton të mos qortohet. Nëse do të ketë një forcë që në ndonjë rrethanë do ta ndryshojë përsëri këtë kufi, me siguri do jenë shqiptarët.
Shqiptarët e Maqedonisë nuk e kanë pasur të vështirë të miratojnë një marrëveshje të nënshkruar nga vetë qeveria e Kosovës. Asnjë problem për ta, nëse territori ku jetojnë do të ketë disa pëllëmbë tokë më shumë e që futet brenda juridiksionit të shtetit të tyre. Sa kohë që ky shtet do të vazhdojë të konsiderohet edhe i tyre.
Ndërkombëtarët e kanë mbështetur marrëveshjen për kufirin e cila për hir të së vërtetës ka qenë më së shumti kontribut i tyre.
Është e natyrshme të ekzistojë një ndërmjetësues i rëndësishëm në këso rastesh. Një garanci që jepet për të mos pasur kthim prapa, sa herë i teket dikujt. Entuziazmi i ndërkombëtarëve ka rikthyer mbështetjen, deri diku të lëkundur, për qeverinë e Kosovës.
Kjo e fundit përmes kritikash e akuzash, deri për tradhti, ka zhbllokuar guximshëm njërën prej nyjeve që do të lejojë realizimin e marrëdhënieve të plota diplomatike me fqinjin e saj të jugut. Kosova ka mbyllur kështu problemet "e vogla" me shtetet e saj fqinje, të cilat në momente të caktuara mund të zmadhoheshin papritur.
Tri problemet e mëdha që ka sot Kosova janë: së pari, funksionimi i saj i brendshëm si shtet; së dyti, raportet me faktorin ndërkombëtar (e në këtë plan njohja e plotë dhe integrimi drejt NATO-s dhe BE-së) dhe, së treti, raportet me Serbinë. Problemi i tretë është specifik, i vetmi i këtij lloji në Evropë.
Rikonfigurimi i pjesshëm i Ballkanit Perëndimor konsiderohet si zhvillimi më i rëndësishëm që ka përjetuar Evropa, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Për shkak të rezistencës së Rusisë, ky problem do të vazhdojë të mbetet i hapur edhe për shumë kohë.
Presidenti rus, Medvedev, sapo ka vizituar Beogradin një ditë pasi qeveria serbe kundërshtoi ashpër dhe kërcënoi Maqedoninë për marrëveshjen e kufirit me Kosovën. Duke lënë të kuptohet se kufiri verior Kosovë - Serbi do të jetë problem i hapur dhe vështirësisht i zgjidhshëm.
Evropa po jeton kohë paradoksesh.
Nga njëra anë kërkon bashkimin, heqjen e kufijve, të paktën institucionalisht, dhe nga ana tjetër nuk ka përmbyllur vendosjen e tyre. Përpara se kufijtë të hiqen, ato duhen njohur. Ky është apeli për shtetet evropiane që nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës.