E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ndarja nga jeta e Arben Tafajt, mesazhe ngushëllimi

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Arben Tafaj, kryetar i shoqatës “Tirana”.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj thekson se Tafaj ishte një nga zërat më të zëshëm për komunitetin, me zemër të madhe e mik i vyer për shumë njerëz që e njohën.“I hidhëruar për lajmin e ndarjes nga jeta të anëtarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Arben Tafaj, kryetar i shoqatës “Tirana” dhe një nga zërat më të zëshëm për komunitetin tonë, me zemër të madhe e mik i vyer për shumë njerëz që e njohën.

Ikja e Arbenit është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë, por për të gjithë qytetin e Tiranës. Ngushëllime të sinqerta familjes Tafaj dhe të afërmve të tij”, shkruan Veliaj.

Kodheli: Respekt për Arben Tafajn

Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, ish-nënkryetare e bashkisë së Tiranës reagoi me trishtim për ndarjen nga jeta të Arben Tafajt.

“Benin e kam pasur shok gjimnazi. Por edhe sikur të mos ishim shokë, ata të klasave më të ulta i mbanin mend shumë mirë nxënësit më të rritur”, u shpreh Kodheli në rrjetet sociale.

“Shiheshim e takoheshim shpesh rrugëve të Tironës tonë. Më pas u këmbyem edhe rrugëve të politikës. E respektuam gjithmonë njëri-tjetrin, respekt të cilin dua ta ndaj me ju miq edhe sot, në ditën e largimit të parakohshëm të tij nga jeta! Pusho në paqe Arben Tafaj!”, përfundoi Kodheli mesazhin.

Blushi: Humbje e pazëvendësueshme e një “tironsi të vjetër”

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ndau sot mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Arben Tafajt.

“Trishtim të thellë për ndarjen e parakohshme nga jeta të mikut tim Arben Tafaj, pinjoll i denjë i një prej familjeve më të vjetra dhe formuese të Tiranës, qytetar model e politikan dinjitoz, përfaqësues i jashtëzakonshëm i vlerave dhe traditave tiranase dhe mbrojtës i vendosur i trashëgimisë historike e kulturore të kryeqytetit, si kryetar i “Shoqata Tirana” dhe anëtar i Këshillit Bashkiak”, shkroi Blushi në rrjetet sociale.

“Shumë dhembje e pikëllim për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme të një “tironsi të vjetër”, miku dhe kolegu, që me angazhimin e tij të palodhur publik, energjinë pozitive dhe vlerat që përfaqësonte, do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje nga të gjithë”, shtoi ai.

“Ngushëllimet më të tjera për familjen e dashur Tafaj, të afërmit, bashkëpunëtorët dhe miqtë e shumtë, si edhe për të gjithë komunitetin e nderuar të tiranasve autoktonë.
Të prehet në paqen e merituar!”, përfundoi Blushi.

Duka: Qytetar model me kontribute të paçmuara

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka shprehu trishtimin për ndarjen e papritur nga jeta të Arben Tafajt. “Më ka hidhëruar pa masë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

“Humbëm një mik të mirë, një qytetar model që ka dhënë kontribute të paçmuara për vendin e veçanërisht për komunitetin tiranas, të cilit i shërbeu pa pushim dhe me shumë dashuri”, shkroi Duka.

“Arben Tafaj ishte një politikan dhe një atdhetar i spikatur, që do të na mungojë shumë neve, miqve të tij, por edhe shoqërisë shqiptare. Dua t’i shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjes Tafaj, miqve dhe të afërmve. Do ta kujtojmë gjithmonë me shumë respekt. U prehsh në paqe Ben!”, përfundoi mesazhin Duka.

/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›