Ndarja nga jeta e Xhaferrit, Basha mesazh ngushëllimi familjarëve

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjarëve të Arben Xhaferrit, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Në mesazhin e tij Basha, vlerëson se me Arbën Xhaferrin, çështja e shqiptarëve kishte gjithnjë një mentor të vyer e të palodhur, një vizion dhe mendje të hapur, një garanci për zgjidhje.
“Të dashur familjarë, të afërm të të ndjerit Arbën Xhaferri
Më lejoni të ndaj me Ju dhimbjen për ndarjen nga jeta të politikanit, aktivistit dhe mendimtarit të shquar, Arbën Xhaferri. Me Arbën Xhaferrin, çështja e shqiptarëve kishte gjithnjë një mentor të vyer e të palodhur, një vizion dhe mendje të hapur, një garanci për zgjidhje. Arbën Xhaferri kishte forcën për të qenë udhërrëfyes edhe në kohët më të vështira për Maqedoninë e rajonin. Human dhe frymëzues, Xhaferri do të mbetet politikan i llojit të veçantë, një misionar i kauzës kombëtare.
Trashëgimia që la pas ky mendimtar mbetet një vlerë e rëndësishme për çdo shqiptar, politikan, apo qytetar në Maqedoni e më gjerë. Mendimet e tij, analizat, publicistika e mrekullueshme janë një këshilltar i çmuar në çdo kohë, për këdo që është i interesuar për çështjen shqiptare.Shpirti i tij u prehtë në paqe, në fund të këtij rrugëtimi me shumë përpjekje e mund për t`i shërbyer vendit dhe kombit të tij” përfundon Basha.
Xhaferi u nda nga jeta në moshën 64 vjeçare si pasojë e një hemorragjie cerebrale në tru.