Vdekja e fëmijës në Përmet, MSH shkarkon Drejtorin e spitalit

Shkarkohet nga puna drejtori i spitalit të Përmetit, Dhimitër Nasi. Shkarkimi i tij nga detyra është bërë me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, nën drejtimin e Ministrit Vangjel Tavo, pas humbjes së jetës të një dite më parë të një fëmije 7 vjec, ndërsa është dhënë gjithashtu paralajmërim për përjashtim nga detyra edhe për mjekun pediatër të Përmetit. Sipas raportit paraprak të MSH pas inspektimit në spitalin e Përmetit rezulton se për rastin e vogëlushes nuk është respektuar sistemi i referimit të pacientit për rastet e rënda, ndërsa shton se një ekip specialistësh po merren me verifikimin e rastit dhe në bazë të analizave do të merren dhe masat e nevojshme.
“Një ekip specialistësh po verifikojnë rastin në Përmet.Nuk është respektuar sistemi i referimit të pacientit për rastet e rënda.Po bëhen verifikime për kartelën klinikle të fëmijës që ndërroi jetë dje në Përmet. Janë kryer analizat epidemiologjike të fëmijës, të hënën priten rezultatet.Në bazë të rezultateve të analizave do të merren masat e nevojshme”thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.
Një ditë më parë një vajzë 7 vjeçe humbi jetën në spitalin e Përmetit. Mjekët pohojnë se vogëlushja Era Beollari vdiq për shkak të një helmimi të rëndë. Ndërkohë që familjarët e viktimës janë shprehur se bluzat e bardha e kanë trajtuar vajzën vetëm me valium. Burime nga Spitali i Përmetit bëjnë me dije se e mitura ka mbërritur në repartin e urgjencës rreth orës 04:00 të së hënës, në gjendje shumë të rëndë.