E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndarja nga jeta e poeti Ali Podrimja, Berisha: Dhimbje në mbarë zemrat e shqiptarëve

22-07-2012 / Gazeta 55

-- Thaçi: Humbje e madhe për kulturën kombëtare


Poeti me renome ndërkombëtare, Ali Podrimja i zhdukur në Francë që më datën 18 korrik, është gjetur i pajetë. Autoritetet shtetërore franceze i kanë përcjellë ministrit të jashtëm, Enver Hoxhaj, lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të pajetë të poetit të njohur kosovar, në Francë. Poeti Ali Podrimja humbi kontaktet me kolegët dhe miqtë e familjarët e tij nga data 18 korrik, në kohën kur po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodeve. Autoritet franceze po punojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të humbjes së jetës së poetit Ali Podrimja. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës falënderon autoritetet e Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Brendshme Franceze, si dhe të gjitha institucionet e tjera lokale e qendrore në Francë për angazhimin maksimal të tyre në ndriçimin e këtij rasti. I tronditur nga kjo humbje e madhe, ministri Hoxhaj, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së poetit Podrimja, komunitetit të poetëve, shkrimtarëve e artistëve si dhe mbarë popullit të Kosovës. “Humbja e poetit  Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë. Kujtimi i poetit Ali Podrimja do të jetë gjithnjë i gjallë në mesin tonë dhe do të shërbejë si figurë motivimi për brezat e ardhshëm të Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të ministrit Hoxhaj. Humbja e poetit me renome ndërkombëtare, Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë.


Berisha: Vdekja e Podrimjes, dhimbje në mbarë zemrat e shqiptarëve


Kryeministri Sali Berisha, në një mesazh ngushëllimi drejtuar Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe familjes së të ndjerit, poetit Ali Podrimja, shkruan se, "lajmi tragjik dhe shokues i ndarjes nga jeta i njeriut tuaj më të dashur, princit të poezisë së letrave shqipe, personalitetit të shquar e mendjendritur të kombit tonë, atdhetarit të flakët, Ali Podrimja, ka sjellë dhimbje në mbarë zemrat e shqiptarëve". "Me ndarjen nga jeta të Ali Podrimes, shqiptarët humbën poetin e tyre më të madh të kohës së sotme, këngëtarin e dhimbjeve dhe vuajtjeve të tyre të mëdha, por dhe të qëndresës së tyre legjendare. Mendimi dhe bota intelektuale shqiptare humbën intelektualin luftëtar të pamposhtur të lirisë dhe dinjitetit njerëzor dhe kombëtar", thekson Kryeministri Berisha në këtë mesazh ngushëllimi. Berisha shprehet se, "Zoti e deshi që Ali Podrimja të ndahet nga ne në Paris nga ku u nis për në Parajsë për të gjetur dhe për t’u bashkuar aty me Lumin, djalin e tij të dashur, duke na lënë si trashëgim të pavdekshëm kryeveprat e tij, elegjitë e dhimbjes së madhe njerëzore, lirikat e gurta, apoteozën dhe hymnet e qëndresës së pashembullt që do shndrisin përjetë në kurorën e letrave tona". "Ai la për ne krenarinë që patëm një mik, një shok, një vëlla, prind e bashkëshort, një korife të poezisë dhe letrave tona si Ai", thekson Kryeministri Berisha.


Thaçi: Humbje e madhe për kulturën kombëtare


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka ngushëlluar Akademinë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe familjen Podrimja për vdekjen e poetit të shquar Ali Podrimja. Sipas kryeministrit të Kosovës, Thaçi vdekja e poetit Ali Podrimja është humbje e madhe për familjen, për kulturën kombëtare dhe Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. “Ali Podrimja, një talent i rrallë dhe krijues i vlerave të përjetshme artistike, ka lënë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në kulturën tonë kombëtare. Vdekja e tij shënon ndërprerjen e penës së vargjeve lirike të përkryera, por hap kapitullin e studimeve të parreshtura për krijimtarinë e tij gjigande”, thuhet në telegramin e Kryeministrit.


Mediat franceze: Nuk ka shenja dhune në trupin e Podrimjes


Trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja është gjetur sot në orën 14:30, pa shenja dhune, në një zonë malore, 4 kilometra larg qytetit Lodève ku mbahej takimi i poezisë, shkruajnë mediat franceze. Poeti kosovar Ali Podrimja, i zhdukur që nga e marta në mbrëmje, është gjetur sot në orën 14:30 afër qytetit Lodeve, ku poeti ishte ftuar në një takim të shkrimtarëve. “Organizatorët e festivalit “Voice of the Mediterranean” kanë thënë përmes një deklarate se policia i ka njoftuar se trupi i poetit Podrimja është gjetur në një zonë malore, rreth 4 kilometra nga Lodeve”, raporton portali, Kosova Times. “Sipas hetimeve paraprake, nuk ka shenja dhune në trupin e tij. Autopsia do të bëhet në fillim të javës për të sqaruar rrethanat e vdekjes së tij”, transmeton Agence de Montpellier. Edhe sipas prefekturës së Hérault, “trupi i Ali Podrimes u gjet pranë një lumi”, dhe “nuk kishte shenja të dhunës”. “Një zyrtar i festivalit kishte arritur që shkurtimisht të fliste në telefon me poetin mëngjesin e së mërkurës, por komunikimi më të ishte e vështirë, sepse ai nuk fliste as anglisht e as frëngjisht”, raportin TV5Monde.


Organizatorët e takimit të shkrimtarëve ishin në dijeni për zhdukjen e poetit Podrimja të martën në mbrëmje dhe kanë bërë çmos për ta gjetur si dhe kanë njoftuar menjëherë policinë, shkruajnë mediat franceze.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›