E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja territoriale dhe llogaritë elektorale

Vënia nën kontroll e territorit duket se do të jetë kryeaksioni i qeverisë “Rama”, duke fi lluar nga kjo vjeshtë, kur do të fi llojë prishja e ndërtimeve pa leje. Por pyetja është se ç’do të bëhet me mijëra ndërtimet e kryera me lejet e 65 bashkive dhe 309 komunave të vendit. Dhe një pyetje më e rëndësishme akoma është nëse do të vazhdohet me mozaikun e tanishëm të ndarjes territoriale, që u jep mundësinë 374 “pashallarëve” e “bejlerëve” të bashkive e komunave të japin leje të reja ndërtimi, secili në kokën e vet dhe pa një koordinim krahinor, rajonal e kombëtar.
Çështjes së rindarjes territoriale i ka kushtuar një artikull në gazetën “Shqip” Artan Shkëmbi, Kryetar i Shoqatës për Autonomi Vendore dhe Kryebashkiak i Pogradecit, i cili, përveç problemit të mësipërm, sheh edhe një sërë problemesh të tjera në ndarjen aktuale territoriale, që e ka kthyer administratën vendore në një mekanizëm të ndërlikuar me 374 njësi vendore. Këto probleme janë financiare, shëndetësore, arsimore, transporti, juridike, zhvillimi ekonomik, ujësjellësi, kanalizimesh etj. Dhe zgjidhja që sugjeron z. Shkëmbi është ajo e krijimit të 36 njësive vendore gjithsej, bazuar në gjeografinë, traditën historike të krahinave, rrjetin aktual e të pritshëm të transportit, dhe perspektivën e zhvillimit të tyre. (Skema e propozuar ngjason me atë të ndarjes territoriale të Republikës së Kosovës, por ka më shumë njësi vendore se ajo.)
Pa u zgjatur me detajet e propozimit të z. Shkëmbi, mund të them se propozimi i tij duket racional. Dhe duke ardhur nga një kryebashkiak socialist i rëndësishëm, jep shpresë se, të paktën, do të merret në konsideratë nga Edi Rama. Por a do ta lejojnë llogaritë elektorale këtë të fundit që ta marrë seriozisht në konsideratë propozimin e z. Shkëmbi?
“Sot, njësitë e pafundme, të quajtura Komuna e Bashki, paguajnë një numër marramendës këshilltarësh të këshillave komunalë (më shumë se 7000 të tillë!), që në shumicë, nuk kanë asnjë lidhje e asnjë aftësi këshilluese ose vendimmarrëse, përveçse u gëzohen pagesave mujore”, shkruan z. Shkëmbi. Por ajo për të cilën nuk shkruan z. Shkëmbi është roli që luajnë këta këshilltarë në fushatat elektorale. Ata përbëjnë pararojën e këmbësorisë elektorale në zgjedhjet – dhe partitë, sidomos ato në pushtet, nuk duan ta humbasin këtë pararojë.
Më tej, më të rëndësishëm se këshilltarët komunalë në fushatat elektorale janë 374 kryetarët e bashkive dhe komunave. Historia elektorale e 13 vjetëve të fundit (kur zgjedhjet në Shqipëri janë zhvilluar në kushte pak a shumë normale) ka treguar se mazhoranca e re krijon epërsi në garat lokale për kryesimin e bashkive dhe komunave, e cila përkthehet në epërsi në garën parlamentare të radhës.
Kështu ndodhi në vitin 2000 e 2001 me mazhorancën e majtë dhe kështu ndodhi në vitin 2007 e 2009 me mazhorancën e djathtë. Në zgjedhjet lokale të vitit 2000, mazhoranca e majtë fitoi rreth 2/3 e njësive vendore dhe pati epërsi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 në ato njësi ku kishte fituar. Kjo epërsi iu zvogëlua në 2005-ën, pasi e djathta fitoi në 2003-in në disa bashki e komuna që nuk i kontrollonte më parë.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2007, mazhoranca e djathtë fitoi rreth 2/3 e njësive vendore dhe pati epërsi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 në ato njësi ku kishte fituar. Kjo epërsi iu zvogëlua në 2013-ën, pasi e majta fitoi në 2011-ën në disa bashki e komuna që nuk i kontrollonte më parë.
Duke pasur në mendje këto llogari elektorale, kryeministri Rama mund të mos e marrë seriozisht në konsideratë propozimin e kryebashkiakut Shkëmbi, por në këtë rast, ai nuk do të mbante premtimin e tij publik se nuk do të punojë thjesht për t’u rizgjedhur. Në qoftë se e mira e vendit është parësore për të dhe rizgjedhja e tij është dytësore, bën mirë ta lexojë me vëmendje propozimin e z. Shkëmbi…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›