E Diel, 1 Nëntor 2026

De Biazi, tani më larg rinovimit me kombëtaren

Në dy ndeshjet e fundit të zhvilluara nga ekipi ynë kombëtar, përveçse pikëve që duheshin marrë dhe shpresës për Botërorin e vitit të ardhshëm në Brazil, në "lojë" ishte edhe kontrata e trajnerit Xhani De Biazi. Dhe në fakt, menjëherë pas dy humbjeve rresht, çështja kryesore që është diskutuar rreth ambienti kuqezi është e ardhmja e trajnerit. Natyrisht, tifozët shqiptarë apo futbolldashësit janë ndarë në grupe sa i përket qëndrimit apo jo të teknikut italian. Si për t'i paraprirë kësaj, numri një i pankinës kuqezi, Xhani De Biazi, ka deklaruar se qëndrimi në stolin e Kombëtares shqiptare është në dorë të presidentit të FSHF-së, Armand Duka, pasi opsionet e rinonivimit të kontratës ia ka lënë në tavolinë herën e fundit që kanë diskutuar bashkë. "Nuk e di nëse do të jem më pjesë e projektit, gjithçka është në dorën e presidentit Duka. Nuk e di nëse është ende e vlefshme oferta për rinovimin që më është propozuar, por do të ulemi së bashku me presidentin për të folur për të ardhmen", - ka thënë De Biazi.
RINOVIMI
Pyetja që shtrohet tashmë është: A duhet të qëndrojë pas mbarimit të kontratës Xhani De Biazi? Në fakt, palët kanë diskutuar për një rinovim të mundshëm. Presidenti Duka parimisht ka qenë dakord për rinovim, por duke mos afruar asgjë më tepër sesa kontrata aktuale. Edhe dëshira e De Biazit ka qenë për të vijuar në krye të ekipit kuqezi, por në ndryshim nga kontrata e parë, ka kërkuar rreth 100 mijë euro më shumë në vit. Bisedimet kishin mbetur këtu, për të vijuar në fund të gushtit, por u shtynë pas ndeshjeve të fillim shtatorit. Mirëpo tani duket se "topi" nuk është më në anën e De Biazit, pasi rënia në vend të parafundit e kombëtares ul performancën jo vetëm të ekipit, por edhe të trajnerit. Vetëm nëse do të merrte 4 pikë në dy ndeshjet e fundit, apo 6, atëherë De Biazi mund të quhej trajneri më i suksesshëm në krye të ekipit kombëtar, por për momentin kemi stanacion.
DUKA
Duket se qëndrimi i De Biazit pas tetorit më shumë varet nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Ai nuk ka folur as dje rreth kësaj çështjeje, duke pritur momentin e duhur, ndoshta pas takimit të radhës me trajnerin italian. Duka tashmë e ka eksperiencën e duhur sa u përket trajnerëve, sidomos me të huajt, pasi që kur ka ardhur në krye të FSHF-së, vetëm trajnerë të huaj ka emëruar, italianë, gjerman, kroatë e holandez. Nisur nga emrat e trajnerëve apo çfarë kanë dhënë ata për Shqipërinë, është për t'u vlerësuar, përjashto 2 trajnerë, që më shpejt ikën sesa erdhën. Në këtë sens, Duka nuk nxitohet, do të vlerësojë me objektivitet punën e De Biazit, pse jo, ndoshta duke pritur edhe ndeshjet e tetorit, ku janë disa shanse minimale që ne të marrim pjesë në "play-off". Për të mbajtur gjallë këtë shpresë, nuk është çudi që Duka ta shtyjë rinovimin edhe pas 15 tetorit, pikërisht pas ndeshjes së fundit të eliminatoreve, ku Shqipëria do të ndeshet në Qipro. Nëse kombëtarja do të merrte qoftë edhe 3 pikë në dy ndeshjet e fundit, në një farë mënyre do të ishte progres, pasi me 6 ekipe në grup, asnjëherë nuk janë marrë kaq pikë.
(a.k/E.Ilnica/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›