Ndërgjegjësimi ende në nivele të ulta/ Pse është i rëndësishëm pensioni privat

Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, fondet e pensionit privat numërojnë mbi 48 mijë anëtarë. Në krahasim me fundin e vitit të kaluar, vërehet një rritje me 8.7% e kontribuesve në fondet e pensioneve private. E thënë ndryshe, kësaj skeme i janë shtuar 3,938 kontribues të rinj në janar-shtator 2025.
Totali i aseteve neto të fondeve të pensioneve private është 14.3 miliardë lekë, vlerë kjo rreth 11.5% më e lartë se në 2024.
Pavarësisht se ka pasur një rritje të kontribuesve në skemën private të pensioneve, sërish raporti me ata që derdhin kontribute për një pension shtetëror ëshë shumë i vogël. Përafërsisht, vetëm 5.8% e kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore kontribuojnë edhe për një pension privat.
Në 7-mujorin e këtij viti ushtronin aktivitet 7 fonde të pensionit privat. Gjysma e anëtarëve në këto fonde rezultojnë femra, ndërsa gjysma meshkuj.
Kjo tregon se, shqiptarët po ndërgjegjësohen në mënyrë graduale mbi rëndësinë e të kontribuarit për një pension privat, i cili është një plotësues i atij shtetëror.
Duke derdhur çdo muaj një shumë minimale parash në një fond pensioni privat, individët mund të sigurojnë të ardhura më të larta në pleqëri krahas parave që përfitohen nga pensioni shtetëror.
Fondi i pensionit privat i investon këto para kryesisht në bono thesari dhe obligacione, ndërsa instrumentet e tjera si depozitat bankare nuk janë të preferuara nga këto shoqëri. Nga interesi që fitohet prej investimit të parave në tituj qeveritarë, qytetarët marrin në moshë pensioni paratë që kanë derdhur çdo muaj, plus një pjesë të këtyre interesave. Statistikat zyrtare flasin për një rritje me 15.7% të investimit në bono thesari dhe obligacione në krahasim me vitin e kaluar, duke kapur një shifër prej 9.1 miliardë lekësh.
Në kuadër të reformës së pensioneve për të cilën qeveria shqiptare po bashkëpunon prej disa kohësh me Bankën Botërore, me qëllim rritjen e masës së përfitimit për ata të cilët dalin rishtazi në pension, është diskutuar zbatimi i “kolonës së dytë” që janë pensionet private, pra të bëhet e detyrueshme që një përqindje e pagës së një punonjësi të shkojë edhe për pension privat.
Aktorë të ndryshëm të sistemit financiar kanë bërë gjithashtu thirrje për përfshirjen e kolonës së dytë dhe të tretë.
Pse është i rëndësishëm një fond pensioni privat?
- Përfitime fiskale: Kntributet e kryera në fond janë të zbritshme në deklarimin e tatimit mbi të ardhurat personale
- Nuk humbasin kurrë: Shuma e akumuluar në fondin e pensionit privat janë të trashëgueshme
- E ardhme e qëndrueshme financiare: Një sistem kursimi i strukturuar që plotëson nevojat tuaja për të ardhura në periudhën e pensionit.
- Përfitime të shtuara: Mundësia për të ndërtuar një plan kursimesh efektiv dhe për të përfituar nga avantazhet e një fondi të licencuar dhe të mbikëqyrur.
- Fleksibilitet dhe transparencë: Zgjidhni një plan periodik kursimesh mujore të përshtatur sipas nevojave tuaja.