Ndërhyrja e parë në QSUT, operohet nga zemra bebja 6 –ditëshe
Mjekët e kardiokirurgjisë në spitalin “Nënë Tereza” kanë kryer për herë të parë një operacion tek një fëmijë vetëm 6-ditësh, duke i shpëtuar vogëlushes jetën. Vajza e sapolindur, Belkiza Beqo është sjellë me urgjencë nga Materniteti i Tiranës për diagnostikim sa më të shpejtë, pasi diagnoza e saj ishte e vështirë dhe kërkonte ndërhyrje të menjëhershme. Por, pas realizimit të ndërhyrjes, mjekët pohojnë se tashmë Belkiza është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa kanë kryer edhe një nga ekzaminimet për të parë ecurinë e vogëlushes. Mjekët e Pediatrisë, Altin Veshti dhe Numila Kuneshka tregojnë mbi diagnostikimin dhe operacionin e kryer. “Belkiza është fëmija i tretë i çifti Beqo. Në momentin e lindjes, mjekët neonatologë kanë vënë re një cianozë (nxirje), duke e cilësuar si një problem shëndetësor. Brenda ditës është bërë transporti për në QSUT brenda orëve të para të jetës, duke menduar për një problem të zemrës. Me diagnostikimin e bërë rezultoi një problem i enëve të mëdha të gjakut, një diagnozë që kërkon ndërhyrjen kirurgjikale me urgjencë, brenda dy javëve të para të jetës. Si rezultat i bashkëpunimit me mjekët neonatologë, por edhe me ekipin e kardiokirurgëve u bë e mundur ndërhyrja kirurgjikale tek ky fëmijë dhe shpëtimi i jetës. Sot, vogëlushja është në gjendje shumë të mirë shëndetësore”, - ka pohuar mjekja pediatre, Numila Kuneshka. Ndërsa për kardiokirurgun Altin Veshti, kjo mbetet një nga ndërhyrjet e para, e bërë në një moshë kaq të vogël. “Në Shqipëri kemi një vit që kemi filluar ndërhyrjet tek fëmijët brenda 30 ditëve të para të jetës. Ndërhyrja në fjalë ka shkuar shumë mirë, duke mos pasur probleme post-operatore, si nga ana kirurgjikale, ashtu edhe gjatë terapisë intensive. Ajo që dua të them është se ky ishte fëmija më i vogël në moshë i operuar në Shqipëri, me zemër të hapur. Rezulton se është një nga ndërhyrjet më të komplikuara që bëhet në trupin e njeriut dhe unë dua ta them me krenari që këtë ndërhyrje e realizon vetëm QSUT-ja. Për sa i përket rasteve të ndërhyrjeve që ne kryejmë, mund të them se nuk kemi një shtim të tyre, por një diagnostikim më të shpejtë dhe të saktë të kryer nga mjekët. Po kështu është përmirësuar edhe trajtimi kirurgjikal. Ne e dimë tashmë që 7 në 1 mijë lindje janë fëmijë, të cilët kanë probleme nga më të lehtat deri më të rëndat në zemër, dhe 80 % e tyre kërkojnë trajtim kirurgjikal”, - ka pohuar Veshti. Ndërsa drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku është shprehur se “ky ishte një nga ato operacione dhe ndërhyrje të cilat nuk prisnin kohë, por kërkonin një ekip të specializuar të mjekëve. Është pikërisht stafi i kardiokirurgjisë, i cili ka kryer për herë të parë këtë ndërhyrje tek një fëmijë 6-ditësh me një peshë 3 kg”. Sipas tij, mbas këtij operacioni edhe në ditët në vijim për kirurgët puna ka qenë mjaft intensive, pasi vetëm në 10 ditë janë realizuar 30 operacione tek fëmijët, duke filluar nga diagnozat më të lehta e deri tek ato të vështirat.