Projektligji, ja procedura e re e hipotekimit të pronave
Gazeta MAPO disponon draft-ligjin e plotë të hartuar nga Ministria e Drejtësisë për
hipotekimin e pallateve, duke nisur që nga regjistrimi fillestar dhe regjistrimi i banesave të ndërtuara para dhe pas vitit 1991. Ja si zgjidhet problematika e trashëgimisë, ndarjeve dhe humbjes së dokumenteve
Një projektligj që pritet të hyjë në fuqi brenda këtij viti, do të zgjidhë të gjitha çështjet e regjistrimit të pronësisë së banesave në hipoteka, duke përfshirë të gjitha ndërtimet para 1991-shit dhe pas këtij viti. Ndërsa në janar të vitit 2012, hipoteka e banesave të reja sipas këtij ligji merret që në karabina. Draft-ligji është hartuar nga Ministria e Drejtësisë dhe dje është diskutuar me ndërtuesit. Draft-ligji në fjalë parashikon të gjitha procedurat se si mund të regjistrohet një pasuri e paluajtshme, qoftë ajo për një regjistrim fillestar ose jo. Sipas projektit që pritet të kalojë në qeveri shumë shpejt, regjistrimi fillestar i çdo pasurie të paluajtshme bëhet me përgatitjen e një kartele dhe një harte treguese regjistrimi që përcakton pronësinë mbi pasuritë e paluajtshme. Në çdo rast hipoteka kërkon që pronësia si dhe kufijtë e çdo pasurie që duhet regjistruar, të dokumentohen duke përdorur kriteret që përcaktohen nga aktet e fitimit të pronësisë sipas nenit 193 të Kodit Civil. Kështu, individët që zotërojnë dokumente pronësie, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen, duhet t’i paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me: dokumentin e pronësisë; një planvendosje apo gentplanin e pasurisë të përgatitur nga topografi, të licencuar sipas kërkesës së të interesuarit apo nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Duhet të ketë deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë, që vërteton përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet të regjistrohet. Hipoteka brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës duhet t’i kthejë përgjigje kërkuesit pas pagesës së shpenzimeve, të cilat parapaguhen nga kërkuesi. Kundër vendimit të regjistruesit ose në mungesë të përgjigjes me kalimin e këtij afati, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë. Në procesin gjyqësor gjykata thërret të gjithë pronarët, pronat e të cilëve janë ngjitur njëra-tjetrës e të cilët kanë interes të ligjshëm për gjykim. Për kalimin në pronësi të sipërfaqeve, kur në dokumentin e pronësisë është bërë shënimi “oborr në përdorim”, kërkuesit duhet t’u drejtohen organeve të kthimit dhe kompensimit të pronave. Procedurat e kalimit të kësaj sipërfaqeje në pronësi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për pasuritë e paluajtshme të ndërtuara deri më datë 10.08.1991, dhe truallin funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, kërkuesi i drejtohet institucionit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Procedurat e kalimit të kësaj sipërfaqeje në pronësi përcaktohen me VKM. Njëkohësisht, po sipas këtij drafti të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, regjistrimi i kryer sipas nenit 25 të këtij ligji duhet të afishohet për 45 ditë në një vend të përshtatshëm për konsultim publik brenda zonës gjeografike ku këto pasuri janë të lokalizuara. Ky afishimi duhet të shoqërohet me kryerjen e një njoftim publik për të lajmëruar individët që mund të kenë ndonjë pretendim për pasuritë e paluajtshme të regjistruara. Të gjitha gabimet e konstatuara apo pretendimet e paraqitura gjatë kohës së afishimit, duhet t'i bëhen të ditura regjistruesit. Çdo pretendim i paraqitur pas kësaj periudhe 45-ditore të afishimit, nuk do të pranohet për shqyrtim nga regjistruesi. Drafti në fjalë parashikon gjithashtu certifikatat e pronësisë dhe certifikatat e qirasë, përdorimit etj. Duke iu referuar këtij neni, me kërkesë të pronarit të një pasurie të paluajtshme ose të qiramarrësit, të cilëve nuk u është lëshuar asnjë certifikatë pronësie ose qiraje, përdorimi e hipotekimi, regjistruesi i lëshon pronarit një certifikatë pronësie ose qiraje sipas rastit, në formë të shkruar ose elektronike duke pasqyruar të gjitha informacionet që ndodhen në kartelën e kësaj pasurie dhe që kanë efekt mbi pasurinë e paluajtshme apo mbi kontratën e qirasë.
Draft-ligji, nga 1 janari ndërtimet e reja hipotekohen që në themel
Objektet e reja që do të ndërtohen në vitin 2012, do të hipotekohen që në karabina. Draft-ligji i Ministrisë së Drejtësisë, pjesa e të cilit pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2012, parashikon që të gjitha ndërtimet e reja në vitin që vjen do të hipotekohen që në karabina. Duke iu referuar projektligjit në fjalë, regjistruesi, me kërkesë të investitorit, pronarit apo krijuesit të pronës, bën regjistrimin e lejes së ndërtimit, në një regjistër të veçantë, në favor të subjektit i cili ka përfituar lejen. Ky regjistrim kryhet në regjistër të ndryshëm nga trualli, por duke kryer lidhjen me truallin, në të cilin po kryhet ndërtimi, dhe është i vlefshëm deri në regjistrimin e karabinasë, për efekt kreditimi dhe regjistrimit të kontratave paraprake. Pas përfundimit të objektit në fazën e karabinasë, regjistruesi, me kërkesë të investitorit, pronarit apo krijuesit të pronës, bën regjistrimin e përkohshëm të karabinasë, në regjistrin ku është regjistruar leja e ndërtimit, duke kryer lidhjen me truallin, në të cilin po kryhet ndërtimi dhe është i vlefshëm deri në përfundimin e objektit, për efekt të kreditimit të investitorit ose regjistrimit të kontratave paraprake. Me kërkesën e palës së interesuar, regjistruesi bën regjistrimin e kontratave paraprake të shitjes së pjesëve të një ndërtimi të ri dhe i pajis blerësit e ardhshëm me certifikata të përkohshme. Ky regjistrim është i vlefshëm deri në regjistrimin e kontratës së shitjes, për efekt të kreditimit të blerësit apo transferimit të së drejtës në një i tretë. Për regjistrimin e kontratave paraprake zbatohet parimi i përparësisë së regjistrimit. Pas përfundimit të objektit, Regjistruesi bën regjistrimin përfundimtar të tij, menjëherë pas përcjelljes për regjistrim nga zyrat e urbanistikës të njësive të organeve të qeverisjes vendore, të dokumentacionit të përcaktuar në nenin 13 të ligjit nr.8402, datë 010.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” i ndryshuar. Me regjistrimin përfundimtar të objektit sipas parashikimeve të bëra në paragrafin e parë të këtij neni, Regjistruesi pas kërkesave të paraqitur nga personat e interesuar, regjistron pjesët e veçanta të ndërtimit të ri, në favor të personave të përcaktuar si blerës të ardhshëm në aktet noteriale të regjistruara tashmë në regjistrimin e përkohshëm të karabinasë të kryer
Dhe hipotekimi kërkon regjistrimin e hipotekës në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë të paluajtshme ose një pjese të saj, e cila përdoret si garanci për detyrimin, regjistrimin e personit, në favor të të cilit ajo krijohet, si pronar të saj dhe depozitimin e dokumentit në dosje.
Ndërhyrjet e paligjshme
1. Kur konstatohen ndërhyrje të paligjshme në regjistrin e pasurive të paluajtshme, duhet të njoftohen menjëherë organet kompetente.
2.Ndërhyrja e paligjshme në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme ose në transmetimet kompjuterike dhe përhapja e të dhënave për pasuritë e paluajtshme nga punonjësit e autorizuar për përpunimin automatik të të dhënave, përbëjnë vepër penale dhe dënohen sipas dispozitave të Kodit Penal
Neni 24
Regjistrimi fillestar
Regjistrimi fillestar i çdo pasurie të paluajtshme bëhet me përgatitjen e një kartele dhe një harte treguese regjistrimi në pajtim me dispozitat e këtij ligji dhe në përputhje me dispozitat e çdo akti që përcakton pronësinë ose të drejta të tjera reale që ekzistojnë për pasuritë e paluajtshme.
Neni 25
Mënyra e regjistrimit fillestar
Regjistruesi, një person ose çdo grup i ngarkuar nga Kryeregjistruesi kërkon që pronësia si dhe kufijtë e çdo pasurie që duhet regjistruar, të dokumentohen duke përdorur kriteret e mëposhtme:
a) Pronësia dhe kufijtë e pasurive të paluajtshme përcaktohen nga aktet e fitimit të pronësisë sipas nenit 193 të Kodit Civil;
b) Individët, familjet dhe personat juridikë privatë apo shtetërorë që zotërojnë dokumente pronësie sipas shkronjës “a”, por nuk kanë të përcaktuar në to sipërfaqen duhet ti paraqesin regjistruesit një kërkesë për regjistrim pronësie, e cila duhet të shoqërohet me:
i. dokumentin e pronësisë;
ii. një planvendosje apo gentplanin e pasurisë të përgatitur sipas nga topograf i licencuar sipas kërkesës së të interesuarit apo nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme;
iii. deklaratën noteriale të pronarëve fqinjë që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë që pretendohet të regjistrohet.
Regjistruesi brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës duhet ti kthejë përgjigje kërkuesit pas pagesës së shpenzimeve, të cilat parapaguhen nga kërkuesi. Kundër vendimit të regjistruesit ose në mungesë të përgjigjes me kalimin e këtij afati, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë. Në procesin gjyqësor gjykata thërret të gjithë pronaret, pronat e të cilëve janë ngjitur njëra-tjetrës e të cilët kanë interes të ligjshëm për gjykim.
c) Për kalimin në pronësi të sipërfaqeve, kur në dokumentin e pronësisë është bërë shënimi “oborr në përdorim”, kërkuesit duhet t’i drejtohen organeve të kthimit dhe kompensimit të pronave. Procedurat e kalimit të kësaj sipërfaqe në pronësi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
d) Për pasuritë e paluajtshme të ndërtuara deri më datë 10.08.1991, dhe truallin funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie sipas shkronjës “a” të këtij neni, kërkuesi i drejtohet institucionit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Procedurat e kalimit të kësaj sipërfaqe në pronësi përcaktohen me vendim të Këshillat të Ministrave.
Neni 26
Regjistrimi i kryer sipas nenit 25 të këtij ligji duhet të afishohet për 45 ditë në një vend të përshtatshëm për konsultim publik brenda zonës gjeografike ku këto pasuri janë të lokalizuara. Ky afishimi duhet të shoqërohet me kryerjen e një njoftim publik për të lajmëruar individët që mund të kenë ndonjë pretendim për pasuritë e paluajtshme të regjistruara. Të gjitha gabimet e konstatuara apo pretendimet e paraqitura, gjatë kohës së afishimit, duhet t'i bëhen të ditura regjistruesit. Çdo pretendim i paraqitur pas kësaj periudhe 45 ditore të afishimit, nuk do të pranohet për shqyrtim nga regjistruesi.
Neni 27
Ligjërimi i regjistrimit fillestar
Pas periudhës së afishimit publik, sipas paragrafit të parë të nenit 26, të gjitha pasuritë e paluajtshme për të cilat nuk ka asnjë pretendim të pazgjidhur do të regjistrohen siç janë në kartelat dhe hartat treguese të përkohshme dhe që nga ky moment regjistruesi mund të lëshojë certifikatat e pronësisë si dhe certifikata të tjera që mund të kërkohen në lidhje me përmbajtjen e kartelave dhe hartave treguese.
Neni 28
Zgjidhja e pretendimeve për regjistrimin fillestar
1.Regjistruesi konsulton me palët pretenduese informacionet që ndodhen në kartela apo në hartat treguese me qëllim që të qartësohen dhe të korrigjohen gabimet materiale si dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet. Të tilla korrigjime apo marrëveshje duhet të bëhen me shkrim, të firmosen nga palët dhe të jenë me akt noterial. Çdo mosmarrëveshje që është zgjidhur më parë nga komisionet e njohura me ligj apo gjykata, ndalon veprimet e mëtejshme të regjistruesit. Mosmarrëveshjet që nuk mund të zgjidhen në mënyrë të tillë që palët pjesëmarrëse të bien dakord i kalojnë për shqyrtim gjykatës kompetente, dhe bëhet një shënim në kartelë për të treguar ekzistencën e një mosmarrëveshje si dhe gjykata të cilës i është dërguar çështja.
2.Regjistrimi i një pasurie nuk mund të krijoje mbivendosje me prona të regjistruara më parë, përveç rasteve kur kemi humbje ose ndryshim të pronësisë së regjistruar sipas neneve 44 dhe 45 të këtij ligji.
3.Në rastet kur dokumente e paraqitura për regjistrim janë të vlefshme por krijojnë mbivendosje me një pasuri të regjistruar më parë, regjistruesi me vendim të arsyetuar, refuzon regjistrimin e pasurisë për atë pjesë që krijon mbivendosje deri në zgjidhjen gjyqësore dhe orienton kërkuesin për zgjidhjen e çështjes në rrugë administrative a gjyqësore.
Neni 30
Korrigjimi i hartës së regjistrimit dhe shtesat e reja
Regjistruesi në çdo kohë me ose pa kërkesën e personave të interesuar mund të:
a) kërkojë që të bëhet një studim/rilevim për çdo pasuri të paluajtshme për qëllime të këtij ligji, dhe pasi të ketë njoftuar personat e interesuar, mund të korrigjojë hartën treguese të regjistrimit si rezultat i studimit/rilevimit të lartpërmendur;
b) korrigjojë çdo gabim teknik në hartën treguese, nëse nuk cenohen interesat e ndonjë personi;
c) udhëzojë përgatitjen e një harte të re treguese të regjistrimit ose të një pjese të saj;
d) mos shënojë në hartë ndonjë hollësi që ai e konsideron të vjetruar.
Neni 31
Kufijtë
Nëse palët pjesëmarrëse në një konflikt për ndonjë paqartësi apo për pozicionin e një apo disa kufijve të pasurisë së paluajtshme arrijnë të zgjidhin mosmarrëveshjen, regjistruesi bën korrigjimet në hartën treguese dhe në kartela në përputhje me marrëveshjen e arritur, si dhe arkivon marrëveshjen e firmosur nga palët pjesëmarrëse në konflikt. Nëse nuk arrijnë në një marrëveshje, regjistruesi i udhëzon ato që të paraqesin çështjen në gjykatën kompetente brenda 15 ditëve dhe bën një shënim në kartelë. Në qoftë se brenda këtij afati çështja nuk është dërguar në gjykatë, atëherë regjistruesi bën shënimin përkatës.
Neni 32
Certifikatat e pronësisë dhe certifikatat e qirasë, përdorimit, uzufrukti, emfiteoze e servituti
1. Me kërkesë të pronarit të një pasurie të paluajtshme ose të qiramarrësit, të cilëve nuk u është lëshuar asnjë certifikatë pronësie ose qiraje, përdorimit, uzufrukti, emfiteoze, hipotekimi e servituti regjistruesi i lëshon pronarit një certifikatë pronësie ose qiraje, përdorimit, uzufrukti, hipotekimi, emfiteoze e servituti sipas rastit, në formë të shkruar ose elektronike duke pasqyruar të gjithë informacionet që ndodhen në kartelën e kësaj pasurie dhe që kanë efekt mbi pasurinë e paluajtshme apo mbi kontratën e qirasë.
2.Për çdo pasuri të paluajtshme, të regjistruar në kartelën përkatëse, për pronësi, hipotekim apo për kontrata të ndryshme që janë realizuar mbi këtë pasuri, lëshohet vetëm një certifikatë.
3.Data e lëshimit të certifikatës së pronësisë, së qirasë apo hipotekës shënohet në kartelë.
Neni 33
Certifikatat e humbura ose të prishura
1. Nëse një certifikatë që ka marrë çdo person i interesuar sipas nenit 32, ka humbur ose është prishur, ai mund t'i kërkojë regjistruesit ku ndodhet pasuria e paluajtshme lëshimin e një certifikate të re, duke paraqitur të dhëna të mjaftueshme që regjistruesi të bindet për humbjen ose prishjen e çertifikatës së mëparshme.
2.Regjistruesi lëshon një certifikatë të re duke bërë shënimin përkatës në kartelë, nëse:
a) bindet lidhur me faktin e humbjes apo prishjes së certifikatës, dhe
b) pasi afishon/publikon në formë të shkruar dhe elektronike, një njoftim që ai e sheh të përshtatshëm.
3.Personi i interesuar nëse gjen certifikatën e humbur, ia dorëzon atë regjistruesit për asgjësim.
Neni 34
Bashkimet dhe ndarjet
1.Nëse pasuritë e paluajtshme, në kufij të ngjitur me njëra-tjetrën janë pronë e të njëjtit pronar, si dhe i nënshtrohen në çdo rast të drejtave dhe detyrimeve të njëjta, me kërkesë të pronarit, regjistruesi mund t'i bashkojë ato pasuri të paluajtshme, duke mbyllur kartelat që u takojnë këtyre pasurive të paluajtshme dhe duke hapur një kartelë apo disa kartela të reja lidhur me pasurinë apo pasuritë e paluajtshme që dalin nga bashkime të tilla, si dhe duke përditësuar hartën treguese të pasurive.
2.Me kërkesën me shkrim të pronarit të vetëm ose të trashëgimtarit të tij, për ndarjen e një pasurie të paluajtshme të tij në dy a më shumë pjesë të kësaj pasurie të paluajtshme, regjistruesi bën ndarjen duke mbyllur kartelën për pasurinë e paluajtshme që ndahet, hap kartela të reja dhe përditëson hartat treguese për pasuritë e paluajtshme të reja që dalin nga ndarja dhe regjistron në kartelat e reja të gjitha hyrjet që ishin në kartelën e mbyllur.
3.Me kërkesë të pronarëve të pasurive të paluajtshme fqinjë, të cilët dëshirojnë të ndryshojnë kufijtë ndërmjet pasurive të paluajtshme të tyre, dhe, me pëlqimin e dhënë me shkrim nga të gjithë personat e tjerë në emër të të cilëve është regjistruar çdo e drejtë reale apo pronësi mbi këto pasuri të paluajtshme, regjistruesi anullon kartelat e këtyre pasurive të paluajtshme dhe përditëson kartelat dhe hartën treguese të regjistrimit në përshtatje me konfiguracionin e ndryshuar të pasurive të paluajtshme. Në rast se regjistruesi mendon se një rindarje e propozuar përmban ndryshime rrënjësore të pronësisë mbi pasurinë, të cilat duhen rregulluar nëpërmjet kalimeve të pronësisë regjistruesi refuzon këtë rindarje.
4.Në asnjë rast regjistruesi nuk lejon ndryshimin e pronësisë së pasurisë paluajtshme që fshin të drejtat reale mbi të. Kur një pronar dëshiron ta ndajë në pjesë pasurinë e paluajtshme të tij, regjistruesi i kërkon atij të dorëzojë një plan rilevimi të nënndarjeve të propozuara, të përgatitura prej një topografi të licencuar.
5.Nëse pasuritë e paluajtshme, ngjitur njëra-tjetrës janë pronë e pronarëve të ndryshëm, regjistruesi mund të bëjë bashkimin e tyre në rastet kur pronarët paraqesin deklaratën noteriale, ku shprehet pëlqimi i palëve për bashkim të pasurive e shoqëruar me plan rilevimi të përgatitur nga topograf i licencuar.
6.Në të gjitha rastet e përcaktuara në paragrafët e mësipërme të këtij neni, pronarët dorëzojnë në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme certifikatën origjinale të pasurisë që do të bashkohet ose ndahet, si dhe pajisen me certifikata të reja pronësie për pasuritë e krijuara.
Neni 35
Regjistrimi i kalimit të pronësisë së një pjese të pasurisë së paluajtshme
Asnjë pjesë në natyrë e pasurisë së paluajtshme të përfshirë në një kartelë nuk regjistrohet në pronësi tjetër në qoftë se pronari nuk e ka ndarë pasurinë e paluajtshme më parë, në të reja për çdo nënndarje të pasurisë së paluajtshme.
KREU V
PROCESI I REGJISTRIMIT
Neni 36
Pasojat e regjistrimit
1.Menjëherë pasi pasuria e paluajtshme të jetë regjistruar e vlefshme, çdo transaksion i mëtejshëm që ka të bëjë me të drejtat mbi të, duhet regjistruar në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
2.Regjistrimi i një pasurie të paluajtshme i jep personit si individ, si bashkëpronar apo si përfaqësues i familjes, të drejtën për të disponuar këtë pasuri të paluajtshme në përputhje me ligjin. Çdo pronar që fiton një pasuri të paluajtshme, apo një të drejtë reale mbi të prezumohet se është njoftuar për çdo shënim në regjistër lidhur me pasurinë e paluajtshme, apo të drejtën reale e fituar mbi pasurinë e paluajtshme.
Neni 37
Përparësia në regjistrim
1.Përparësia e regjistrimit përcaktohet në varësi nga radha e paraqitjes në mënyrë të përshtatshme të dokumenteve të tyre te regjistruesi pavarësisht nga data e përpilimit të tyre dhe pavarësisht se shënimi në kartelë mund të vonohet.
2.Regjistruesi nuk mund të pranojë asnjë regjistrim të ri të një pasurie të paluajtshme, nëse për këtë pasuri ka një regjistrim të mëparshëm të një titulli, sipas neneve 44, 45 dhe 46 të këtij ligji.
Neni 38
Regjistrimi i detyruar
1.Çdo kontratë apo dokument tjetër që ka efekt mbi të drejtat mbi pasuritë e paluajtshme paraqiten për regjistrim jo më vonë se tridhjetë ditë nga koha e realizimit të tij.
2.Gjykatat, noterët, përmbaruesit gjyqësorë dhe organet e tjera shtetërore detyrohen q t’i dërgojnë për regjistrim zyrës që administron regjistrin ku ndodhen pasuritë e paluajtshme, kopje të vendimit ose të aktit që përmban fitimin, njohjen, ndryshimin, pushimin e një të drejte pronësie të paluajtshme, ose një të drejte reale mbi atë, ose që deklarojnë të pavlefshme veprime juridike për kalimin e pronësisë të regjistruar më parë, brenda 30 ditëve nga lëshimi i tyre.
Neni 39
Vonesa e paraqitjes së dokumentacionit për regjistrim
Nëse një dokument paraqitet për regjistrim më vonë se 30 ditë nga data e realizimit të tij, pasi pasuria të jetë regjistruar në përputhje me parashikimet e bëra në Kreun iV të këtij ligji, përveç tarifës së regjistrimit, për çdo ditë vonesë, që ka kaluar nga kjo datë, paguhet kamatëvonesë e barabartë me 10 për qind të tarifës së regjistrimit, por jo më shumë se 300.000 lekë.
Neni 41
Regjistrimi i pasurive të paluajtshme në bashkëpronësi
Aktet që përmbajnë fitimin e pronësisë dhe të drejtave të tjera reale mbi pasurinë e paluajtshme, të cilat u përkasin bashkërisht dy apo më shumë personave, regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme, duke treguar identitetin dhe pjesët e secilit bashkëpronar kur kjo është e mundshme.
Neni 42
Regjistrimi i objekteve të përbashkëta në ndërtesat
Regjistruesi, me kërkesën e investitorit ose të krijuesit të pronës, bën regjistrimin e aktit të bashkëpronësisë së detyrueshme, për objektet e përbashkëta të ndërtesave, në një regjistër të veçantë, në favor të Asamblesë së Bashkëpronarëve, në përpjesëtim me pjesën e ndërtesës së banimit, e destinuar ose që është në pronësi individuale.
Për efekt të regjistrimit, do të konsiderohen në pronësi të përbashkët të pronarëve të njësisë individuale, në përputhje me kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi, të gjitha pjesët e një prone në bashkëpronësi, përveç njësisë, e cila është në pronësi individuale. Prona e përbashkët përfshin të gjitha pjesët e ndërtesës, territorin, pajisjet, mjedisin dhe objektet në shërbim të saj, që nuk janë destinuar për përdorim individual dhe nuk janë pronë publike, si truallin, mbi të cilin është ngritur ndërtesa, oborret e rrethuara, parkimet, pishinat, gjelbërimin, themelet, muret mbajtëse, çatinë, tarracën, shkallët, sheshpushimet, ashensorët, kalimet, bodrumet, puset, pusetat, depozitat e ujit dhe kaldajat.
Përveç rasteve kur në aktin e bashkëpronësisë ose në projektin e ndërtesës së banimit nuk specifikohet ndryshe, kufiri i pronësisë individuale të njësisë përcaktohet nga titulli i fitimit të pronësisë. Regjistruesi, në kartelën e pasurisë të njësisë individuale, bën shënimet përkatëse në lidhje me kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi si dhe çdo informacion shtesë, i nevojshëm për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme. Kuota e pjesëmarrjes në bashkëpronësi, për çdo njësi, përcaktohet në bazë të raportit të sipërfaqes së njësisë individuale (në m2) me shumën e sipërfaqes së të gjitha njësive. Kuota e pjesëmarrjes në pronën e përbashkët dhe njësia nuk mund të tjetërsohen të ndara nga njëra-tjetra.
Neni 43
Regjistrimi i kontratave të shitjes
Kontrata e shitjes për një pasuri të paluajtshme regjistrohet në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë së paluajtshme, pas verifikimit të elementëve të formës e përmbajtjes së aktit noterial të përcaktuara në udhëzimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Neni 47
Regjistrimi i ndërtimeve të reja në fazën e karabinasë
Regjistruesi, me kërkesë të investitorit, pronarit apo krijuesit të pronës, bën regjistrimin e lejes së ndërtimit, në një regjistër të veçantë, në favor të subjektit i cili ka përfituar lejen. Ky regjistrim kryhet në regjistër të ndryshëm nga trualli, por duke kryer lidhjen me truallin, në të cilin po kryhet ndërtimi, dhe është i vlefshëm deri në regjistrimin e karabinasë, për efekt kreditimi dhe regjistrimit të kontratave paraprake.
Pas përfundimit të objektit në fazën e karabinasë, regjistruesi, me kërkesë të investitorit, pronarit apo krijuesit të pronës, bën regjistrimin e përkohshëm të karabinasë, në regjistrin ku është regjistruar leja e ndërtimit, duke kryer lidhjen me truallin, në të cilin po kryhet ndërtimi dhe është i vlefshëm deri në përfundimin e objektit, për efekt të kreditimit të investitorit ose regjistrimit të kontratave paraprake.
Me kërkesën e palës së interesuar, regjistruesi bën regjistrimin e kontratave paraprake të shitjes së pjesëve të një ndërtimi të ri dhe i pajis blerësit e ardhshëm me certifikata të përkohshme. Ky regjistrim është i vlefshëm deri në regjistrimin e kontratës së shitjes, për efekt të kreditimit të blerësit apo transferimit të së drejtës në një i tretë.
Për regjistrimin e kontratave paraprake zbatohet parimi i përparësisë së regjistrimit, sipas nenit 10 të këtij ligji.
Pas përfundimit të objektit, për regjistrimin përfundimtar të tij zbatohet përcaktimet e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Neni 48
Regjistrimi i ndërtimeve të reja
1 Pas përfundimit të objektit, Regjistruesi bën regjistrimin përfundimtar të tij, menjëherë pas përcjelljes për regjistrim nga zyrat e urbanistikës të njësive të organeve të qeverisjes vendore, të dokumentacionit të përcaktuar në nenin 13 të ligjit nr.8402, datë 010.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” i ndryshuar.
2.Me regjistrimin përfundimtar të objektit sipas parashikimeve të bëra në paragrafin e parë të këtij neni, Regjistruesi pas kërkesave të paraqitur nga personat e interesuar, regjistron pjesët e veçanta të ndërtimit të ri, në favor të personave të përcaktuar si blerës të ardhshëm në aktet noteriale të regjistruara tashmë në regjistrimin e përkohshëm të karabinasë të kryer sipas parashikimeve të bëra në nenin 46 të këtij ligji.
3.Kriteret dhe procedurat për regjistrimin e njësive pjesëve të veçanta individualisht të përcaktuara të një ndërtimi të ri, miratohen me udhëzim të Këshillit të Ministrave.
Neni 49
Regjistrimi i objekteve të përbashkëta në ndërtimeve të reja
1. Objektet në pronësi të përbashkët të pronarëve të njësive individuale të një ndërtimi të në kuptim të përcaktimeve të bëra në nenin 209 të Kodit Civil, do të regjistrohen në regjistrin e pasurive të paluajtshme, sipas përcaktimeve të bëra në aktet noteriale të kalimit të pronësisë së njësive individuale të lidhur midis investitorit të ndërtimit të përcaktuar si të tillë në lejen e ndërtimit të objektit në cilësinë e shitësit dhe personit fizik apo juridik të në cilësinë e blerësit.
2. Procedurat e regjistrimit të objekteve të përbashkëta në ndërtimet e reja do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 50
Regjistrimi i kontratës së qirasë
1.Çdo kontrate qiraje me akt noterial për një pasuri të paluajtshme më zgjatje kohore më shume se 9 vjet, duhet të regjistrohet në seksionin përkatës se kartelës se pasurisë se paluajtshme të qiradhënësit. Kontrata e qirasë me akt noterial për një pasuri të paluajtshme për një periudhë kohe mbi një vit mund të regjistrohen në regjistrin e pasurisë së paluajtshme.
2.Kur një kontrate qiraje është për një pjesë të një pasurie së paluajtshme, atëherë kartela ekzistuese e pasurisë së paluajtshme mbyllet dhe hapen kartela të reja për pjesë/pjesët që është/janë dhënë me qira dhe për pjesën/pjesët e pasurisë së paluajtshme që mbetet/mbeten, si dhe bëhen shënimet përkatëse në hartën treguese të pasurive të paluajtshme. Në këto raste, në zyrën përkatëse të regjistrimit të pasurive të paluajtshme depozitohet certifikata e pronësisë së pasurisë që do të ndahet.
Neni 51
Regjistrimi i të drejtës së parablerjes
Zyra e regjistrimit regjistron të drejtën e parablerjes, në zbatim të nenit 14 të ligjit nr.9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar dhe nenit 204 të Kodit Civil.
Neni 52
Regjistrimi i hipotekave
1.Hipotekimi kërkon regjistrimin e hipotekës në seksionin përkatës të kartelës së pasurisë të paluajtshme ose një pjese të saj, e cila përdoret si garanci për detyrimin, regjistrimin e personit, në favor të të cilit ajo krijohet, si pronar të saj dhe depozitimin e dokumentit në dosje.