E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset, Bashkia marrëveshje me IFC për lehtësimin e procedurave

SHKRUAN: Jonida Tashi 19-10-2011 14:18

Bizneset në Tiranë do të çlirohen nga procedurat e burokracive që hasin për plotësimin e dokumentacionit, duke kursyer më shumë para e kohë. “One-Stop-Shop-Center” do të jetë qendra më e re për bizneset pranë Bashkisë së Tiranës, që do të lehtësojë procedurat për bizneset e kryeqytetit, por nga ana tjetër edhe do të rrisë dhe konkurrencën midis tyre. Këto do të bëhen të mundura falë marrëveshjes që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha firmosi dje me Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC), që është pjesë e Bankës Botërore. Qëllimi kryesor i këtij projekti është reduktimi i dokumentacionit, kostos dhe kohës që i nevojitet biznesit, duke krijuar një klimë të favorshme për investimet dhe duke rritur nivelin e konkurrueshmërisë së Tiranës. Ndër të tjera, ky projekt parashikon krijimin e një qendre të vetme për kryerjen e shërbimeve ligjore të biznesit në nivel lokal, që do të jetë ajo “One-Stop-Shop-Center”. Kjo qendër do të sigurojë shërbime dhe këshilla për klientët, me cilësi dhe në kohë reale, për të garantuar një biznes më të suksesshëm kundrejt një kostoje më të ulët. Me ngritjen e kësaj qendre, do të bëhet e mundur edhe kryerja e procedurave on-line, çka do të jetë një tjetër lehtësi për biznesin. Kreu i Bashkisë është shprehur optimist për këtë projekt, ndërsa ka siguruar se Tirana do të bëhet territori më miqësor për biznesin në gjithë rajonin. “Marrëveshja ka si objektiv një nga proceset kryesore, për të bërë të mundur pikërisht rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qytetit dhe kjo vjen me përmirësimin e klimës së biznesit dhe me lehtësinë e të bërit biznes në qytetin e Tiranës. E nisëm këtë duke vënë në jetë një nga premtimet kryesore, heqjen e mbi 60 tarifave dhe reduktimin e taksave në qytetin tonë, me vendimin e Këshillit Bashkiak, të mërkurën e kaluar, i cili ka hyrë në fuqi duke filluar nga kjo javë. Sot, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ne hedhim hapin tjetër, atë të përgatitjes së një plani radikal të thjeshtimit të procedurave administrative të qytetit të Tiranës, të Bashkisë së Tiranës, në raport me biznesin në veçanti dhe qytetarët në tërësi”, - ka pohuar kryebashkiaku. Më tej ai ka sqaruar se objektivi i kësaj marrëveshjeje është për të ndihmuar Bashkinë e Tiranës, që brenda janarit të vitit të ardhshëm, të prezantojë procedura të thjeshtuara administrative, procedura administrative on-line si dhe praktikën e shërbimit në një ndalesë (One-Stop-Shop) për biznesin, me qëllim që të reduktojë kohën, dokumentet dhe koston që paguan, për të marrë leje apo licenca në Bashkinë e Tiranës. Ndërsa menaxheri i IFC-së për Ballkanin Perëndimor, Per Kjellerhaug u shpreh se ky projekt do të jetë i duhuri për Tiranën dhe besoj se Tirana do të jetë qyteti më konkurues në Shqipëri, por edhe në Europë. Përfaqësuesi i IFC-së tha se projekti kursen 6 milionë dollarë, shumë kjo e barasvlefshme me 2 mijë vende të reja pune. Projekti financohet nga Bashkëpunimi Zviceran në Shqipëri. Më herët, ai është zbatuar në tri bashki të tjera të vendit, në Durrës, Shkodër dhe Vlorë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›