E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndërhyrja në sistemin TIMS, ish-drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça në gjykatë: S’kam kopjuar asnjë të dhënë

Ish-drejtori i IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, i akuzuar për ndërhyrje në sistemin TIMS ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij. Teksa u paraqit në Gjykatë, Muça i cili ndodhet në “arrest shtëpie”, tha shkurtimisht për mediat se akuzat ndaj tij janë spekulim mediatik dhe se ai nuk ka marrë asnjë të dhënë.

“E gjitha kjo është një spekulim mediatik, deklarohem i pafajshëm. Unë kam bërë  thjeshtë detyrën, nuk kam kopjuar asnjë të dhënë. Të gjitha veprimet i kamë bërë sipas procedurës”, u shpreh ai.

Në gusht 2023, një ndërhyrje e paligjshme në sistemin TIMS të Policisë së Shtetit solli një shqetësim në nivelet më të larta drejtuese të shtetit, si dhe përfaqësitë diplomatike në Shqipëri. Kjo çoi në një hetim të thelluar.

Ish-drejtori i IT Ervin Muça u ndalua në flagrancë gjatë kopjimit të të dhënave të TIMS. Rasti zbuloi emërime të paligjshme në role të IT-së së policisë, përfshirë edhe atë të drejtorit Ervin Muça, i cili nëpërmjet një sërë dokumentash të falsifikuara në Itali kishte arritur të shkonte deri në nivelet më të larta të drejtimit të një prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit.

Ngjarja

Në mënyrë të përmbledhur nga hetimi i procedimit penal rezultoi se, në datën 02.08.2023 në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muça.

Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin.

“Hetimi i këtij procedimi penal është shtrirë në pyetjen e tërë personazheve të përfshirë në ditën e ngjarjes, por njëkohësisht edhe në kryerjen e ekspertimeve përkatëse. Në vijim të procesit hetimor, janë kryer verifikime mbi vërtetimin e besueshmërisë së personit nën hetim E. M., në raport me pozicionin e tij Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin. Personi nën hetim, rezulton se në datë 23.10.2007 në Itali është raportuar si përgjegjës për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë. Në datë 09.09.2008 shtetasit E. M. i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari.”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Nga hetimi procedimit penal ndërmjet të tjerash, rezultoi se Muça ka qenë edhe këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që ishte edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit. Ligji për Policinë e Shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies.

Personi nën hetim nuk e kishte deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin e DTI në Policinë e Shtetit. Ekspertët e sigurisë kibernetike e rrëzojë alibinë e drejtorit Muça. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›