E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërhyrje e rëndë e Beogradit

Ministria e Drejtësisë e konsideron si të paligjshëm emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në Gjykatën në veri të Mitrovicës nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në Beograd. Ministrja Nekibe Kelmendi e cilësoi vendimin e Serbisë si ndërhyrje të rëndë në punët e brendshme të Kosovës.

Ajo i ka thënë BBC-së se kundër këtij vendimi do të duhej të reagonte edhe bashkësia ndërkombëtare.

Ministrja Kelmendi ka theksuar se gjykatat paralele në veri të Mitrovicës nuk mund të funksionalizohen me vendimet e autoriteteve në Beograd. “Ato gjykata janë gjykata ilegale, ato nuk ka gjasa që të funksionalizohen në Kosovë. Çdo vendim që merret nga ato gjykata, nuk mund të zbatohet në Kosovë, kurse në Serbi nuk mund të zbatohet gjithsesi për shkak se nëse është për shembull çështja pronësore, prona nuk mund të bartet në Serbi dhe të ekzekutohet vendimi atje”.

“Ne e kemi të ndërtuar sistemin gjyqësor dhe ai sistem, të cilin mëton ta ndërtojë Serbia është ilegal. Ajo ka provuar të bëjë diçka me një ligj dhe tani me gjyqtarë e prokurorë.
Unë dua të besoj se kjo është vetëm një lojë e Serbisë, sepse e ka të qartë se do të jetë negative për të nisma që e ka filluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për statusin e Kosovës. Serbisë i duhet të merret me diçka në mënyrë që ta konsumojë për politikat e veta të brendshme, ta mbajë popullatën gjithmonë në terr, të mos dijë popullata e çka ndodhë në Kosovë”, ka shtuar ajo.

Qëndrimi i autoriteteve në Prishtinë pasoi një vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor të Serbisë në ditën e fundit të vitit të kaluar për betimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë për Gjykatën në veri të Mitrovicës, e cila do të ketë degët e saj edhe në enklavat e tjera serbe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›