Ndërhyrjet në ‘TIMS’, Prokuroria merr të pandehur ish-drejtorin e IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq ish drejtorin e Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin në Policinë e Shtetit, Ervin Muçën, i cili aktualisht është me masë sigurimi “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
“Nga tërësia e veprimeve hetimore, rezultoi se: i pandehuri E.M., në lidhje me procedurat e backup dhe ekstraktimin e të dhënave, nuk ka informuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, nuk ka një informacion, memo informuese, plan veprimi për problematikat e konstatuara dhe veprimet e ndërmarra për rregullimin e tyre”, njoftoi prokuroria e Tiranës.
Sipas prokurorisë “i pandehuri E.M., ka urdhëruar punonjësit për hapjen e portave USB. Veprimet janë kryer prej tij deri në orët e vona të natës dhe në godinë janë futur persona të paautorizuar për të asistuar në procesin e back up, konkretisht shtetasi K. M; jo pjesë e stafit, shpeshherë ka hyrë me pinin personal të një punonjësi tjetër jo prezent”.
“Gjithashtu, vërtetohet qartësisht lidhja midis pajisjes hard disk të sekuestruar me kompjuterin e identifikuar të lidhur me serverat; lidhje e realizuar për të mundësuar kryerjen e një procesi back up manual, duke eksportuar të dhëna në hard disk. Proces, i cili nuk ka pse të kryhet pasi vetë sistemi automatikisht bën dy back-up-e, për më tepër në pajisjen hard disk të sekuestruar evidentohen gjurmë të procesit të back up. Sa më sipër, hyrja e paautorizuar kompjuterike është realizuar. Pas hapjes së portave USB, procesi i back up ka filluar, vijuar, por nuk është përfunduar plotësisht”, njoftoi prokuroria.
Lidhur me veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, për të cilin gjithashtu është regjistruar procedimi është vendosur ndarja e çështjes.
/a.f/