Rama: Marrëveshje me Gjermaninë për nxitjen e turizmit gjithëvjetor

TIRANË, 26 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste bëri të ditur sot se në kuadër të zgjatjes së sezonit turistik qeveria po negocion marrëveshje me Gjermaninë për sjelljen në Shqipëri gjatë sezonit vjeshtë-dimër të pensionistëve.
Në një takim me sipërmarrës të rinj të kthyer nga emigracioni në Shkodër, Rama u ndal te problematikat me të cilat ndeshen strukturat hoteliere, kryesisht në bregdet.
Duke u ndalur te çështja e pagave në këtë sektor, kryeministri evidentoi faktin se “nuk është e lehtë nga pikëpamja e barrës financiare, sepse i bie që të mbash punonjës për një periudhë që është përtej ngarkesës. Faktikisht ju e keni të lidhur shumë me sezonin në përgjithësi, por për këtë duhet menduar zgjatja e sezonit dhe ndryshimi i qasjes”.
Në këtë aspekt, Kryeministri theksoi rëndësinë e futjes së komponentit të shëndetit, të fizioterapisë apo botoksit që janë shumë tërheqëse, sidomos për periudhën vjeshtë-dimër.
Po ashtu, Rama theksoi se qeveria është duke bërë disa marrëveshje, ka filluar me Gjermaninë për të sjellë gjatë periudhës vjeshtë-dimër në strukturat hoteliere të plazheve pensionistë.
“Ata i sjellin dhe praktikisht janë një ndihmë shumë e madhe për sa i përket mbajtjes së hoteleve hapur dhe mbulimit të më shumë sesa kostos. E bën me shumë sukses Portugalia, Spanja dhe Turqia”, tha Rama.
Sipas tij kjo mund të realizohet tani, pasi ka filluar të ketë interesim, pasi deri para pak kohësh Shqipëria nuk ishte bindëse.
“Tani që ka filluar të bëhet bindëse edhe kjo rrugë sikur është e hapur. Edhe privatisht mund ta shihni, sepse ka shumë organizata dhe bashki që kanë një nevojë të tillë në Europën Qendrore dhe Veriore duke filluar nga Gjermania dhe vendet më lartë”, theksoi Rama.
/r.e/