E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërhyrjet te pacientët, 32% e mjekëve, pa doreza plastike

Janë të ekspozuar maksimalisht ndaj infeksioneve e sëmundjeve të tjera për aq kohë sa çdo ditë u rrinë mbi kokë dhjetëra të sëmurëve.Mjekët, infermierët, laborantët e sanitarët, jo vetëm duhet të jenë të kujdesshëm për një higjienë maksimale, por duhet të ruhen nga aksidentet e mundshme profesionale në punë. Bëhet fjalë për lëndime me mjete të mprehta, kryesisht aget e shiringave apo bisturitë. Për të dyja këto problematika mjaft të mprehta që mund tu kushtojnë shtrenjtë bluzave të bardha e pacientëve, neglizhenca është maksimale. Përpos saj, mungesa e informacionit nga personeli për sëmundshmërinë, pasojë e aksidenteve nga mjetet e mprehta dhe marrja e masave në rastet kur ato ndodhin, lë për të dëshiruar. Departamenti i kontrollit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik ka nxjerrë në pah mangësitë. Në studimin e kryer tek bluzat e bardha shifrat flasin vetë. Qëllim i këtij studimi ishte njohja e faktorëve të riskut ndaj të cilëve ekspozohet personeli shëndetësor në punë. Po kështu, njohja e frekuencës së hasjes së llojeve të ndryshme të aksidenteve profesionale, sqarojnë specialistët. Sipas të dhënave, rezulton se 32% e mjekëve dhe infermierëve nuk i përdorin asnjëherë dorezat gjatë ndërhyrjes tek të sëmurët. Rrallë i përdorin 33% e tyre, ndërsa shpesh 35%. Këto shifra tregojnë se ekspozimi i tyre dhe i pacientëve është i lartë ndaj dhjetëra infeksioneve që mund të përhapen nga kontakti i drejtpërdrejtë me lëkurën.
Aksidente profesionale
Janë 20 lloje infeksionesh, pasojë e shpimeve dhe prerjeve, ndaj të cilave janë të ekspozuar bluzat e bardha. Përgjithësisht, në rang botëror, rreth 63% e shpimeve shkaktohen nga aget e injeksioneve. Sipas të dhënave të ISHP-së, rreth 49% e të pyeturve deklarojnë të kenë pasur aksident profesional gjatë punës (shpim, prerje, kontaminim të lëkurës, syve, mukozave). Po kaq deklarojnë të kenë parë kolegë të punës të pësojnë aksidente profesionale gjatë punës. Rreth 73% kanë pasur disa herë gjatë viteve aksidente, ndërsa 15.2% kanë pasur vetëm këtë vit aksidente, thuhet në studim. Sa i përket kategorizimit të aksidenteve, nga të dhënat rezulton se 70.8% janë shpime nga aget me të cilat i bëhet injeksion pacientit. Prerje me pajisjet që përdoren për hapje plage, apo ndërhyrje të tjera kirurgjikale raportohen në masën 17.9%, ndërsa kontaktet e lëkurës 9.1%. Vetëm 2% e të intervistuarve deklarojnë të kenë kryer ekzaminime serologjike, individualisht pasi i ka ndodhur një aksident i kësaj natyre, thuhet në studimin e bërë me target-grup mjekët dhe infermierët. Ndërkohë, 100% e të intervistuarve deklarojnë mosregjistrim të aksidenteve me mjete të mprehta. Pas  marrjes në analizë të këtyre të dhënave, specialistët kanë konkluduar se ekziston një risk i lartë në punë, i pavlerësuar. Po kështu vihet re mungesë e menaxhimit të aksidenteve profesionale nga mjetet e mprehta. Ajo çka rekomandohet është njohja e udhëzimeve të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë mbi dëmtimet nga mjetet e mprehta, theksojnë specialistët. Po kështu, sipas tyre, duhet  krijimi, implementimi dhe monitorimi i programeve të parandalimit të aksidenteve profesionale nga mjetet e mprehta. Është domosdoshmëri implementimi i shërbimeve të profilaksisë së post-ekspozimit, si dhe edukimi e promocioni, rekomandojnë specialistët.

Peshqesh infeksione nga spitali, 1 në 3 pacientë

Një në tre pacientë që kryejnë operacione në qendrën spitalore universitare Nënë Tereza preken nga infeksionet spitalore. Sipas statistikave, deri në 38% e rasteve që operohen në QSUT, marrin një infeksion të dytë në spital. Faktorët kryesorë të infeksioneve janë mungesa e infrastrukturës dhe hyrja e dalja e parekomanduar e të afërmeve të pacientëve. Sipas të dhënave për spitalin Nënë Tereza, klinikën 1, 2, 3, Kardiokirurgji, Onkologjik, ORL, Okulistikë, Maxilo-Facial kanë ngarkesën më të lartë mikrobike. Infeksionet spitalore mbartin edhe një kosto të lartë si për spitalin, ashtu dhe për pacientin. Studimet ekonomike mbi infeksionet spitalore faktojnë se këto infeksione ndikojnë në rritje të vdekshmërisë, zgjatje të ditë-qëndrimit spitalor, çka ndikon në rritjen e kostos së trajtimit të pacientit, por kanë edhe pasoja sociale, pasi prekin individin duke sjellë rritje të papunësisë, shpenzim për barna, pra prekin familjen dhe ekonominë në tërësi.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›