E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërkombëtarët certifikojnë procesin zgjedhor të ditës së diel

SHBA-ja dhe Brukseli përgëzojnë Shqipërinë - përmirësime të ndjeshme në zgjedhjet e 28 qershorit 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përgëzuan dje Shqipërinë dhe qytetarët e saj për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Një zëdhënëse e Departamentit amerikan të Shtetit, i tha “Zërit të Amerikës” se, “qytetarët e Shqipërisë meritojnë të lavdërohen që dolën në votime në një numër të konsiderueshëm dhe për zhvillimin e zgjedhjeve në mënyrë paqësore dhe me rregull”. “Zhvillimi i zgjedhjeve, tha më tej zëdhënësja, përbën përparim real në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Vlerësimi paraprak i OSBE/ODIHR-it vë në dukje se zgjedhjet në vetvete demonstruan përmirësime, por gjithashtu vëren se u konstatuan disa shkelje në procesin zgjedhor. Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë së Shqipërisë, tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, t’i analizojë ato”. “SHBA-ja e ka të qartë, përfundoi ajo, se qeveria e Shqipërisë është në përfundim të numërimit të votimeve dhe përpilimit të listës së rezultateve dhe presin që ky proces të zhvillohet në të njëjtën mënyrë të rregullt”.

Bashkimi Evropian

Po kështu, edhe Brukseli zyrtar ka vlerësuar se procesi zgjedhor në Shqipëri ka qenë i qetë dhe paqësor pavarësisht se janë shënuar disa incidente. 

Blloku vëren përmirësime të ndjeshme në këto zgjedhje parlamentare thotë agjencia e lajmeve AFP e cila citon deklaratën e fundit të Komisionerit për zgjerim, Oli Ren. 

Ren përkrah deklaratën e misionit të OSBE-së, se vlerësimi përfundimtar do të jepet pas përfundimit të procesit të numërimit të votave. 

Bashkimi Evropian i ka kërkuar nga ana tjetër partive politike në vend të vazhdojnë të punojnë në rritjen e standardeve ndërkombëtare. 

Deri në shpalljen e rezultatit zyrtar këto zgjedhje do të jenë nën syrin e rreptë të vëzhguesve ndërkombëtarë. 

Mbarëvajtja në këto zgjedhje parlamentare janë cilësuar si prova kyçe që do të sigurojë më tej integrimin e Shqipërisë drejt familjes evropiane. 

Presidenca çeke e BE-së

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian ka mirëpritur zhvillimin e zgjedhjeve të qeta e paqësore në Shqipëri. Në një deklaratë zyrtare, Presidenca çeke përgëzoi qytetarët e Shqipërisë për këtë arritje, duke theksuar se u arritën vlerat demokratike. Në deklaratën zyrtare thuhet se, “presidenca çeke mbajti shënim të gjitha përfundimet e misionit të OSBE-ODIHR të cilat konfirmuan përmirësimet në procesin elektoral në Shqipëri”. Edhe Çekia vlerëson se vlerësimi përfundimtar për zgjedhjet e 28 Qershorit, do të jepet pas mbylljes së procesit të numërimit të votave. “Presidenca çeke, thuhet në deklaratë, inkurajon politikën shqiptare të vazhdojnë të punojë për një dialog konstruktiv që do të çojë në krijimin e qeverisë së re e cila do të punojnë vazhdimin e reformave dhe të ecjes përpara drejt Bashkimit Evropian”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›