E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërkombëtarizmi, në rend të parë

Sporti do të zërë një vend meritor, të cilin nuk e ka pasur në qeveritë e deritashme. Prioriteti kryesor do të jetë ndërkombëtarizmi i sportit. Do të punojmë në rregullimin e infrastrukturës dhe do të mundohemi që t’u dalim në ndihmë federatave, klubeve, sportistëve e talentëve. Do të bëj përpjekje që ta rrisim buxhetin. Ministri i ri i Sportit, Memli Krasniqi flet për Express. Nga Valdet Hasani më 24 shkurt 2011 në ora 12:30

Ministri i ri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Memli Krasniqi është optimist se sporti kosovar do ta zërë një vend meritor, të cilin nuk e ka pasur në qeveritë e kaluara.

Sipas Krasniqit, prioritet kryesor i MKRS’së do të jetë ndërkombëtarizmi i sportit kosovar, i cili tash e dymbëdhjetë vjet vazhdon të mbetet i izoluar.

Ai ka thënë se do të bëjë përpjekje që MKRS’ja të ketë rritje buxhetore, pasi deri më tani buxheti i kësaj ministrie ka qenë shumë i vogël.

Krasniqi beson se Ligji për sponsorizim deri në fillim të vitit 2012 do të jetë në fuqi.

Express: Cilat do të jenë prioritetet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit?
Krasniqi: Ne radhë të parë unë mendoj se do ta konsolidojmë programin qeveritar, i cili tashmë është i përfunduar, ku të gjitha fushat e dikastereve, e po ashtu edhe kultura, rinia dhe sporti do të kenë një trajtim meritor dhe besoj më të mirë sesa në të kaluarën. Normalisht që në radhë të parë do të bëjmë rregullimin e legjislacionit gjegjësisht Ligjin për sport, si dhe të akteve nënligjore. Po ashtu për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të mundohem që të ketë ngritje buxhetore, sepse zakonisht e dimë që kjo ministri nuk ka pasur buxhet të mjaftueshëm. Pastaj do të filloj me prioritetin e madh të Ministrisë së Kulturës, por unë do të përpiqem që edhe në dikasteret e tjera ta ngrisim në prioritet të përgjithshëm ndërkombëtarizmin e sportit.

Express: Do të thotë ndërkombëtarizmi i sportit është prioriteti kryesor i Ministrisë që ju do ta udhëhiqni?
Krasniqi: Absolutisht. Deri më tani të pranuara i kemi tri federata olimpike me të drejta të barabarta në federata botërore. Ne do të përqendrohemi edhe në pranimin dy federatave të tjera olimpike, në mënyrë që ta plotësojmë kushtin për aplikim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe të përpiqemi që Kosova të marrë pjesë në Lojërat olimpike Londra 2012.

Express: Ligji për sport dhe ai për Sponsorizim ende nuk janë miratuar. A do t’i shtyni këto dy ligje, që janë të domosdoshme për sportin, të miratohen sa më shpejt nga Parlamenti?
Krasniqi: Në këto ligje kam punuar edhe në kohën sa kam qenë deputet në Kuvendin e Kosovës, pasi kam qenë edhe anëtar i Komisionit për Kulturë, Rini e Sport. Në Projektligjin për sponsorizime kam punuar personalisht dhe kam insistuar që ai ligj të rikthehet në ripunim meqenëse drafti i kaluar ka qenë absolutisht i pamjaftueshëm dhe nuk ka qenë i duhur për atë që kemi dashur ta bëjmë, por fatkeqësisht ministrat e kaluar nuk e kanë përfunduar draftin. Unë besoj se ndër ligjet e para të cilat do të punoj me përkushtim me gjithë stafin tim do të jetë përfundimi i Projektligjit për sponsorizimet, në mënyrë që gjatë këtij viti të miratohet dhe më së largu shpresoj që prej vitit 2012 të jetë në fuqi.

Express: Infrastruktura sportive në Kosovë është në gjendje të rëndë. A do të investoni në rregullimin e infrastrukturës?
Krasniqi: Sa i përket infrastrukturës sportive, që është një problem dhe sfidë e vazhdueshme e Kosovës, unë mendoj se duhet të gjej forma të partneritetit publiko-privat, sepse tashmë në një vend demokratik me ekonomi të tregut nuk është e mundshme që sektori publik t’i mbulojë të gjitha nevojat që në Kosovë janë të mëdha për infrastrukturë. Do të mundohemi që t’u dalim në ndihmë federatave sportive, klubeve edhe normalisht sportistëve që janë shpresa e së tashmes dhe së ardhmes, të investojmë edhe të talentet e rinj dhe sporti të zërë një vend meritor, të cilin deri tash nuk e ka pasur.

Express: Majlinda Kelmendi është njëra nga sportistet që i ka sjellë më së shumti medalje vendit tonë. Por atë rrezikojmë ta humbim, pasi ka marrë një ofertë joshëse nga Azerbajxhani. A do ta mbështetni Majlindën, në mënyrë që ajo të vazhdojë ta përfaqësojë Kosovën?
Krasniqi: Besoj që do të kemi takim me Majlindën edhe me njerëzit që e menaxhojnë atë, meqenëse është shpresa ma e madhe olimpike e Kosovës dhe përkushtimi që e përmenda për plotësimin e kushteve elementare për pranim në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar është tepër i rëndësishëm, sepse nëse e arrijmë këtë, Majlinda do të jetë shpresa më e madhe e Kosovës për medalje olimpike. Pa dyshim se do të takohemi dhe është shumë me rëndësi që ajo ta përfaqësojë Kosovën dhe besoj se do t’i gjejmë mundësitë më të mira për ta mbështetur atë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›