Saviçeviç lavdëron Beqirajn

Sulmuesi kosovar, Fatos Beqiraj është duke shkëlqyer te Dinamo e Zagrebit. 22 vjeçari ka befasuar shumëkënd me adaptimin e shpejtë dhe paraqitjet e tij në fushë, pas transferimit nga Buduçnosti gjatë verës së vitit të kaluar, por jo edhe Dejan Saviçeviçin.
Ish legjenda e Milanit, tani president i Federatës së Futbollit të Malit të Zi, ka lavdëruar Beqirajn dhe beson se ka të ardhme të ndritur. Saviçeviç madje është i bindur se Beqiraj nga Dinamo mund të kalojë te ndonjë skuadër më e madhe evropiane.
“Edhe më parë kam thënë se Beqiraj shpejt do të bëhet idhull i tifozëve, sepse e kam ditur se për çfarë futbollisti bëhej fjalë. Sigurisht, kam përkrahur kalimin e Beqirajt në Dinamo dhe presidentit Zdravko Mamiç i kam thënë se ai është futbollist për ta.
I kam thënë se është i ri, i shpejtë, energjik dhe jashtëzakonisht i fuqishëm, andaj para vetes ka një të ardhme të ngritur. Vendimi për kalim në Dinamo është sigurisht hap më i madh se qëndrimi në Buduçnost, sepse kështu do të përgatitet më mirë për ndonjë ligë më të fortë”, tha Saviçeviç për GOL.hr.
Dinamo e Zagrebit për transferimin e Beqirajt i pagoi Buduçnostit një shumë prej 650 mijë eurosh. Por, Saviçeviç beson se gjiganti kroat do të përfitojë shumë më tepër, në rast të shitjes së futbollistit pejan.
“Mamiç ka bërë punë të shkëlqyeshme, ndërsa pas disa viteve do të bëjë punë edhe më të mirë për transferimin disa milionësh te ndonjëri prej klubeve më të mëdha evropiane. Kjo është e sigurt, do të fitojë mirë me të. Beqiraj është futbollist i shkëlqyeshëm, por mbi të gjitha është futbollist me qëndrimin e duhur. Djaloshi është shumë i thjeshtë. Merr këshillat e të tjerëve dhe punon me përkushtim, pikërisht ashtu siç duhet të bëjë një futbollist i vërtetë. Për këtë do të ketë karrierë shumë të madhe”, shtoi Saviçeviç.
Përveç se është bërë njëri prej futbollistëve kryesorë të Dinamos, Beqiraj ka luajtur rol të rëndësishëm për Kombëtaren e Malit të Zi në kualifikime për në Euro 2012, ku kryeson Grupin G me 10 pikë nga katër ndeshje, duke lënë pas Anglinë, që megjithatë ka një takim më pak të zhvilluar.
Mali i Zi ndeshjen e ardhshme kualifikuese e zhvillon me Bullgarinë, përballje në të cilën nuk do të mund të llogaritë në dyshen Miodrag Dzudoviç dhe Simon Vukçeviç, të suspenduar, por Saviçeviç mbështetet te Beqiraj. “Kemi disa futbollistë të rinj te të cilët duhet llogaritur me seriozitet dhe në mesin e tyre është Fatos Beqiraj, i cili tani është në planin e parë”, përfundoi Saviçeviç.