Nderohet legjenda e futbollit Panajot Pano

Dhjetra njerëz, mes tyre personalitete të njohur, përfaqësues të lartë të futbollit, sportdashës, biznesmenë e përfaqësues të medias zhvilluan homazhe në Pallatin e Kongreseve në nder të legjendës së futbollit, Panajot Pano. Në arkivol ishte vendosur bluza e tij me numrin 10 e ekipit të Partizanit.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Topalli, ministra, kreu i PS-së Edi Rama, kreu i FSHF-së, Armand Duka, kreu i KOKSH, Agim Fagu nderuan mbretin e futbollit, Pano.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka preferuar të bëjë në këmbë rrugën nga Presidenca në Pallatin e Kongreseve për të zhvilluar homazhe në nder të legjendës së futbollit, Panajot Pano. "Kam dhimbje për ndarjen nga jeta të një talenti të rrallë, të nje njeriu ekstremisht modest. Isha me fat që pata rast të shikoj talentin e rrallë të sportit shqiptar në fushën e blerë dhe njoha nga afër një njeri me dimesion të rrallë njerëzor. Ai do të nderohet nga gjithë populli shqiptar. Isha me fat që e kisha Panajotin një mik personal", theksoi kreu i shtetit.
Kryeministri Sali Berisha u shpreh se kombi i thotë lamtumirë futbollistit , personalitetit më të shquar, më të dashur, të sportit në historinë e Shqipërisë. "Panajot Pano ishte futbollisti i jashtëzakonshëm që për dekada mbushi me krenari e dashuri zemrat e gjithë sportdasheve shqiptarë. Ai përaqësoi cilësitë sportive të shqiptarëve më mirë se kushdo tjetër. Ai ndahet nga jeta, po lë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme, një emër të nderuar për të gjitha kohërat", theksoi ai.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli se Pano ishte "10"-të në të gjitha fushat, ishte njeriu më i dashur për shqiptarët dhe sportdashësit.
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se prania e kaq shumë njerëzve në homazhe është tregues i gjurmës që ka lënë pas Panajot Pano.
Trupi i Panos mbërriti në orën 12:30 në aeroport, ku edhe janë zhvilluar homazhe në nder të të madhit të futbollit.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, dita e sotme është ditë zie kombëtare. Flamujt në institucione sot janë vendosur në gjysmështizë, ndërkohë që televizioni publik transmeton muzikë funebre.
Mbreti i futbollit shqiptar u nda nga jeta në 19 janar , në moshën 71 vjeçare në SHBA, pas një infarkti. Trupi i të madhit Panajot Pano do të prehet përjetësisht në varrezat e Sharrës.
Gjatë karrieres së tij 18 vjeçare si futbollist, Panajot Pano ka luajtur 24 ndeshje në kombëtaren e Shqipërisë. Me fanellën e Partizanit ai fitoi 4 kampionate dhe 5 kupa. Në ceremoninë e zhvilluar në vitin 2003, ai mori çmimin "Golden Player of Albania" nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Në mars të vitit 2009-të, Panajot Pano u nderua me çmimin "Nderi i Kombit" nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Ndërkohë, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve , Nikollë Lesi nëpërmjet një shkrese zyrtare i ka propozuar kryeministrit Berisha vendosjen e emrit "Panajot Pano" stadiumit kombëtar "Qemal Stafa".