E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Së shpejti ambasadë në Malin e Zi

Mali i Zi dhe Kosova do të duhej që së shpejti të shkëmbejnë ambasadorët, dhe ndërmjet dy vendeve nuk ka kurrfarë kontestesh, ka thënë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi për mediat malazeze.

"Procesi i shkëmbimit të ambasadorëve do të nisë dhe besoj që kjo të bëhet së shpejti", ka deklaruar Thaçi. Ai ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës është një lajm i mirë, jo vetëm për dy vendet, por edhe për tërë rajonin. "Për perspektivën tonë të përbashkët të integrimit në strukturat euroatlantike".

"Do të dëshiroja të shpreh respektin tim më të madh për qeverinë malazeze për qasjen e saj pozitive drejt zhvillimit të Kosovës", ka thënë Thaçi. Duke komentuar deklaratën e presidentit malazez Filip Vujanovic se nuk do të nënshkruajë letrat kredenciale, derisa pakica malazeze të mos njihet në Kosovë, Thaçi ka thënë se shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës është ndërtuar mbi parimet qytetare dhe multietnike.

"Kushtetuta i siguron shansin çdo qytetari të Kosovës, pavarësisht dallimeve të tij etnike apo fetare, që ta konsiderojë shtetin e Kosovës shtëpi të veten", është shprehur Thaçi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›