E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërpritet bojkoti i mësimit, dorëzohen prindërit

Objekti i shkollës fillore “Pavarësia” në Sibofc të Podujevës, nuk do të ndërtohet sivjet. Gojarisht këtë përgjigje ka marrë Këshilli i Prindërve dhe udhëheqja e shkollës nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës. Përgjigjja negative ka irrituar prindërit që nuk duan të dërgojnë fëmijët e tyre në një shkollë që funksionon në një barakë të improvizuar si objekt shkollor nga KFOR-i çek, meqë ajo nuk plotëson kushtet elementare për mbajtje të mësimit dhe rrezikon shëndetin e fëmijëve.

Por, pavarësisht pakënaqësisë me këtë përgjigje të ministrisë dhe pasigurisë së fëmijëve të tyre në këtë objekt shkollor, prindërit janë dorëzuar. Ata kanë marrë vendim të ndërpresin bojkotin e mësimit të filluar më 23 janar në këtë shkollë, në shenjë revolte që ky objekt shkollor nuk ishte pjesë e planeve të ndërtimit të MASHT-it 14 vjet pas luftës, edhe pse kjo ministri ishte vënë në dijeni vazhdimisht me shkrim për kushtet alarmante në të cilat mbahej mësimi.

Tani, as bojkoti nuk i “brengosi” institucionet që të bëjnë zgjidhje. Një zgjidhje e ofruar gojore për të mbrojtur fëmijët nga rreziku i shëndetit, Këshilli i Prindërve ka pranuar se ka marrë dhe është mbështetur në të që të ndërpresë bojkotin, në pamundësi që të marrë ndonjë ofertë më të mirë dhe duke parë injorimin institucional.

U dorëzuam

Fahrudin Mahmuti, kryetar i Këshillit të prindërve të shkollës “Pavarësia” ka thënë për “Zërin” se mësimi do të mbahet prej të hënës, edhe pse nuk morën përgjigjen që kërkonin që objekti i shkollës të fillojë së ndërtuari sivjet. “Jemi dorëzuar. Bojkotin do ta ndërpresim. Çfarë të bëjmë në këtë shtet asgjë nuk bënë punë, as bojkoti nuk ndikoi ”, ka theksuar ai duke bërë të ditur se ndonëse bojkoti i mësimit mbahej, takimet e tyre me ministrinë dhe komunën nuk sollën përgjigje zyrtare që shkolla të ndërtohet sivjet e që ishte kushti i prindërve dhe udhëheqësisë së shkollës që bojkoti të ndalej.

“Megjithëkëtë, ata na dhanë vetëm një përgjigje që Komuna e Podujevës do të intervenojë në sanimin e gjendjes së përkohshme me gëlqerosje të mureve, rinovimin e disa nyjeve sanitare, rrënimin e objektit të vjetër që gjendet në oborr... Kjo, sipas premtimit, do të ndodhë tash”. Ndërsa, sipas tij, është dhënë dhe premtimi se do të rishikohet dhe buxheti në qoftëse ka mundësi për të siguruar mjete për nisjen e ndërtimit të shkollës, në të kundërtën, objekti i shkollës mbetet të inkuadrohet në planin ndërtues tek vitin e ardhshëm.

Ndërkaq, Ministria e Arsimit, përmes zëdhënësit të saj Arbër Morina, pati kthyer përgjigje se kjo ministri ka paraparë që në vitin 2012-të ndërtimin e kësaj shkolle. Në planin e kësaj ministrie, shkolla parashihet të fillojë të ndërtohet në vitin 2014 , dhe një pjesë tjetër në 2015 që do të jetë dhe pjesa përfundimtare e ndërtimit.

Ndërkaq, në raportin inspektues të ministrisë është theksuar se objekti ku mbahet mësimi është i shkatërruar, dyshemetë të lyera me mbeturina të vajrave mekanike, që rrezikojnë shëndetin e nxënësve dhe të mësimdhënësve, pastaj çatia e plasaritur që pikon në shumë klasë, klasat përplot lagështi, dritaret të dëmtuara dhe të gozhduara, tualetet brenda në objekt jofunksionale, ku mungon uji dhe paraqesin rrezik permanent për ndonjë infeksion, dhe gjenden 70 metër larg objektit...

Ky inspeksion që kishte bërë identifikimin e gjendjes më 22 janar, pat rekomanduar se që “DKA ( Drejtoria Komunale për Arsim) në afat prej shtatë ditëve të bënë rrënimin e gërmadhës së shkollës të vjetër.DKA dhe shkolla në afat sa ma të shkurtër të bëjë një zgjidhje të pranueshme për nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle. MASHT dhe DKA në Podujevë ta rishqyrtojnë bilancin e buxhetit dhe t’i japin prioritet shkollës “Pavarësia” në Sibofc”./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›