E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndërpritet energjia elektrike në të gjithë Spanjën dhe Portugalinë, shkakton kaos në aeroporte dhe qytete

Një ndërprerje masive e energjisë elektrike ka goditur Spanjën dhe Portugalinë këtë të hënë (28 prill), duke lënë miliona njerëz pa energji dhe duke shkaktuar kaos në qytetet më të mëdha të dy shteteve. Aeroportet Ndërkombëtare Barajas në Madrid dhe Humberto Delgado në Lisbonë u mbyllën pasi mbetën pa energji elektrike, ndërkohë që telekomunikacioni u ndërpre dhe shumë banorë nuk patën akses në rrjetet celulare.

Një tjetër pasojë e ndërprerjes ishte bllokimi i sistemeve të metrosë në Madrid dhe Lisbonë, me pasagjerë të bllokuar në tunelet e metrosë dhe trenat të ndaluar midis stacioneve. Trafiku rrugor në Madrid u rëndua pas fikjes së semaforëve, ndërsa qytetarët u këshilluan të qëndronin në shtëpi dhe të shmangnin lëvizjet e panevojshme.

“U bëj thirrje gjithë banorëve të Madridit që të pakësojnë lëvizjet e tyre dhe, po qe e mundur, të qëndrojnë ku janë. Duam që të gjitha rrugët të jenë bosh. Nëse telefonatat urgjente nuk marrin përgjigje, shkoni vetë në polici dhe në stacionet zjarrfikëse, ku do të përpiqemi të trajtojmë emergjencat që mund të dalin,” tha kryebashkiaku i Madridit në një postim në rrjetet sociale.

Spitalet, përfshirë spitalin La Paz në Madrid dhe disa objekte shëndetësore në Portugali, u detyruan të anulojnë operacione dhe procedura të tjera mjekësore për shkak të mungesës së energjisë. Situata është përkeqësuar edhe në Andorrë dhe disa zona në jug të Francës, të cilat gjithashtu raportuan ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.

Qeveria spanjolle ka mbajtur një seancë urgjente për të monitoruar situatën dhe për të koordinuar veprimet për rivendosjen e energjisë. Kompanitë e energjisë, Endesa dhe Iberdrola, janë duke hetuar shkakun e kësaj ndërprerjeje të papritur.

Kompania Red Electrica raportoi se kishte filluar të rivendoste energjinë në disa zona të Spanjës, megjithatë, procesi mund të zgjasë “nga gjashtë në dhjetë orë” për shkak të sfidave teknike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›