Ndërpritet qarkullimi në Qafën e Thores për shkak të riaktivizimit të ortekëve

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Si pasojë e rritjes së temperaturave është riaktivizuar rënia e ortekëve në zonën e tuneleve panoramike në Qafën e Thores, duke bllokuar segmentin rrugor në afërsi të kilometrit 5,5.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci bëri të ditur sot se situata paraqitet e rrezikshme për ndërhyrje, pasi masa e borës në shpatin malor nuk është ende e stabilizuar.
Për këtë arsye, informoi Beci, është urdhëruar ndërprerja e çdo përpjekjeje për pastrimin e borës së krijuar nga ortekët.
“Duke vlerësuar nivelin e lartë të rrezikshmërisë, është vendosur ndërprerja e qarkullimit në Qafë-Thore për të gjitha llojet e automjeteve, deri në një njoftim të dytë”, deklaroi ai.
Strukturat përgjegjëse, nënvizoi Beci, vijojnë monitorimin e vazhdueshëm të situatës dhe do të informojnë qytetarët për çdo zhvillim të mëtejshëm.
Edhe prefektura e qarkut Shkodër njoftoi se qarkullimi rrugor në Qafë-Thore mbetet i ndërprerë për të gjitha llojet e mjeteve, deri në stabilizimin e kushteve dhe garantimin e sigurisë. Sipas tij, me uljen e temperaturave gjatë natës, ekipet teknike do të rivlerësojnë situatën dhe, nëse kushtet e lejojnë, do të ndërhyjnë për pastrimin e segmentit të bllokuar. Strukturat përgjegjëse janë në monitorim të vazhdueshëm dhe çdo informacion i ri do të komunikohet në kohë reale.Ndërkohë, qytetarëve u bëhet thirrje të shmangin lëvizjet në këtë aks rrugor dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve për garantimin e sigurisë. /j.p/r.e/