Ndërpritet shfaqja e deputetit Dokle

Shfaqja e dramës "Shën Maria e Beratit" në teatrin "Andon Çajupi" të Korçës, e vënë në skenë nga Namik Dokle është nderprere pas reagimit të Mitropolisë së Korçës.
Kjo e fundit në një deklaratë të saj, e ka konsideruar atë denigruese për komunitetin ortodoks.
Vënia në skenë e kësaj drame ka ngjallur shqetësimin e Mitropolisë e cila me anë të kësaj deklarate ka protestuar ndaj këtyre fenomeneve të cilat, sipas saj, cënojnë ruajtjen e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare.
Edhe besimtarët ortodoksë korçarë kanë shfaqur indinjatën e tyre në lidhje me këtë shfaqje, blasfemuese ndaj besimit ortodoks, siç thonë ata në reagimin e tyre nëpermjet internetit, Më tej i bëhet thirrje z Dokle, që të mos fyejë dhe provokojë ortodoksët me mashtrime diabolike. “Ku e gjeni kurajon ta trajtoni në këtë formë Komunitetin Orthodhoks dhe Kishën Orthodhokse. Më e pakta që duhet të ndodhë është që Drejtoresha e Teatrit të japë dorëheqjen së bashku me këshillin artistik të Bashkisë”, thuhet më tej në reagim. Pas ndërprerjës së dramës, deputeti Namik Dokle në një reagim për News 24, e quan atë një krijim të mirfilltë artistik. Sipas tij, është e pakuptimtë të thuash që cënohen ortodoksët. “Kjo nuk është dramë e deputetit Namik Dokle por e dramaturgut, Namik Dokle më cudit reagimi i Mitropolisë, nuk ka të bëjë me asnjë personazh historik por artistik. Vë në pah patriotizmin e klerikëve shqiptarë, nuk ka synim ti fyejnë”, tha ai. Dokle nënvizoi më tej se drama nuk mund të ndërpritet vetëm se nuk i pëlqen disa personave: “Ta lidhësh dramën me interesat e ditës është e gabur. Më thanë që e kanë lidhur edhe me censusin. Unë e kam shkruajtur para 4 vitesh, s’ka të bëjë me interesat e ditës”. /Indeksonline/