Ndërroi jetë etnomuzikologu Bahtir Sheholli
Shkollën fillore e kreu në Kërpimeh, të mesmen muzikore në Prizren, kurse fakultetin muzikor në Universitetin e Arteve në Beograd-dega e Teorisë Muzikore, si dhe studimet në sektorin e Etnomuzikologjisë në katedrën e Historisë Muzikore dhe të Folklorit Muzikor në Beograd, ku edhe ka ndjekur studimet pasuniversitare. Gjatë vitit 1978-79 specializoi në Konservatoriumin e muzikës në San Petërsburg-BRSS, ku po ashtu ka bërë hulumtime shkencore në një pjesë të bjeshkëve të Kaukazit-rrethi i Nalçikut i Republikës Kabardina në Ballkaria. Si mësimëdhënës i muzikës ka punuar në Gjimnazin e Podujevës në vitet 1963-1970, ndërsa prej vitit 1976 punon në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues në Sektorin e Etnomuzikologjisë. Nga viti 1977 disa vite ka punuar si mësimëdhënës i lëndës së formës muzikore, historisë muzikore botërore, njohurisë së veglave dhe folklorit muzikor në shkollën e mesme muzikore të Prishtinës. Ka qenë gjithashtu anëtar i redaksisë së revistës shkencore të IA - Gjurmime Albanologjike seria Folklor dhe Etnologji. Nga viti 1974 deri më 1987 ka qenë anëtarë i Organeve të Revistës së Folklorit Burimor Kosovar të Gllogovcit, si seleksionues dhe udhëheqës artistik i saj. Si organizator dhe drejtor artistik me grupe të ndryshme folklorike ka përfaqësuar Kosovën në shumë manifestime në ish Jugosllavi, Shqipëri, Gjermani, Francë etj, në të cilat është shpërblyer me çmime të lartas dhe mirënjohje publike. Bahtir Sheholli ka drejtuar si kryetar shoqatën e kompozitorëve të Kosovës.