E Shtunë, 31 Tetor 2026

Freskia e Pelinkut

Prezantohet albumi me fotografi, kujtime, fletë nga ditari i aktores Drita Pelinku. Një dhuratë nga Arkivi i Filmit për kontributin në teatër dhe kinema

Kujtime, fragmente nga ditari, mendime kolegësh, studentësh dhe njerëz të artit, të përmbledhura në një album nga Arkivi Qendror Shqiptar i Filmit, u prezantuan dje në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar. I kushtohen aktores Drita Pelinku.


Bashkëkohësit kujtuan skena nga xhirimet, kurse asaj nuk i hiqeshin nga cepat e syve bulëza lotësh, dhe me zor komandonte penën për të dhënë autografe. Dhe në fund fjalët: "Falemnderit Zyshë Drita!"


Shumica në atë sallë, ata që merren me kinema dhe teatër sot, kanë qenë studentë të Pelinkut. Kishin ardhur për t'i shprehur mirënjohjen për gjithë leksionet e marra mbi përkushtimin, teknikën, plastikën, ndjeshmërinë, dashurinë për teatrin. Ajo u ka lënë pas modelet e jo pak roleve në teatër dhe film.


Albumi hapet me një foto të familjes së madhe të Kripave, me 20 vetë. Mallkimi në mbiemër duket thjesht një trill i fatit, një nga të zakonshmit që jeta bën me njerëzit.


Nga këto vite Pelinku kujton: "Nuk na mungonte asgjë. As lodrat, as argëtimet, as verimet në vilën e bukur të plazhit të vjetër, apo në shtëpinë prej druri midis pishave të Llogarasë, as biçikleta ime e vogël, që e pëlqeja aq shumë. Këto kujtime janë të hershme, sepse ato të kohës së diktaturës, kur u rrëmbyen pasuritë, janë të dhimbshme dhe...nuk dua t'i kujtoj."


Në dhjetor 1944 Drita konkurron pa dijeni të familjes në shkollën e parë dramatike. Në fotografinë që ilustron këtë moment të jetës së saj ndeshemi me një portret vajzëror, të freskët, një dritë që shkëlqen në sytë e saj dhe buzëqeshjen e çiltër. Pelinku sot 83 vjeç, e ka ruajtur dritën e ngrohtë në vështrim, që duket sikur të thotë: Kam akoma dashuri për teatrin, për familjen, për jetën.


Në shumicën e fotografive të albumit, nga viti 1947 deri më 1960-ën, ka interpretuar role zonjash të fisme, aristokratesh të bukura, plot shkëlqim, rrethuar nga meshkuj që kërkojnë ta joshin. Në Marianën e "Tartufit" (1947) shihet me një dekolte të këndshme, në komedinë "Shërbëtori i dy zotnive" është një Klarisë e freskët, plot jetë, sensuale, që i lexohen ndjesitë në sy. Në krah të saj është aktori Ndrekë Shkjezi.


Sharmin e saj e kanë nuhatur edhe regjisorët. Për personazhin e Luizës, në dramën e Shilerit "Intrigë dhe dashuri", ku aktorja ka interpretuar në krah të Naim Frashërit në vitin 1957, regjisori Andon Pano shkruan:


"Luiza e Dritës kishte të gjithë çiltërsinë e vajzërisë dhe të gjithë ngrohtësinë e zjarrit të dashurisë dhe në zemër dridhjet e romantizmit të epokës së Shilerit, një kombinim i bukur dhe harmonik, një gërshetim i ndritur liriko-tragjik".


Ka interpretuar edhe: Elenën tek "Mikroborgjezët" (1948) me partnerë Mihal Popin dhe Prokop Mimën, Misis Fordin tek "Gratë gazmore të Unidsorit" (1958) me aktorin Mihal Popi, Gertrudën tek "Hamleti" (1960) përkrah Naim Frashërit dhe Loro Kovaçit, Dejamirën tek "Zonja e Bujtinës" (1962), Beti Delfin tek "Arturo Ui" etj.

Veç kuriozitetit artistik, fotografitë e Pelinkut flasin edhe për stilin, modën dhe elegancën në të veshur të kësaj gruaje, kryesisht në vitet '60-të. Në një veshje a la garçon shfaqet me pantallona të gjëra me shtrat të lartë që nxjerrin në pah një bel të ngushtë; këmishë me mëngë përveshur që tregojnë llërë femërore dhe elegante; apo dekoltetë e fustaneve verore që lënë jashtë supet dhe zbukurojnë gjoksin me një fjongo, kurse portreti po aq i çelur, nga një palë gjyzlykë dielli si sy maceje.


Rënia e këtij stili femëror gjithë shije dhe klas, bie në sy, ndërsa shfletojmë albumin, me ndryshimet që pëson "jeta skenike" dhe jeta reale e vendit.


Vitet 1946 deri më 1960 duket të kenë qenë, me gjithë varfërinë e pasluftës, është një kohë e artë për frymën e lirisë. Pas viteve 60 shohim aktorë të veshur dhe "të maskuar" si kinezë. Për shembull në dramën kineze "Shtrëngata" të vitit 1963, mes tyre edhe Pelinku. Arti si propagandë dhe tribunë për miqësitë që lidheshin.


Me rolet që vijojnë më pas, nëna tek "Familja e Peshkatarit" (1965), Budja tek drama "Lulet e Shegës", Vala tek drama "Lumi i vdekur" (1976), aktorja Drita Pelinku shihet në rolin e gruas shqiptare dhe të nënës, imponimi i një stereotipi jashtë vullnetit të saj.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›