Ndërron jetë Arben Tafaj, kryetari i shoqatës “Tirana”

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Është ndarë sot nga jeta kryetari i shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj. Ish-kandidati i pavarur për bashkinë e Tiranës, Arben Tafaj, ishte me profesion ekonomist, i diplomuar në vitin 1986.
Lajmin e trishtë e bëri të ditur familja. 63-vjeçari ka qenë në ambientet e shtëpisë së tij kur është rrëzuar aksidentalisht në shkallë dhe ka ndërruar jetë.
Tafaj ishte zyrtari i zgjedhur me votat e qytetarëve me tre mandate radhazi, si këshilltar bashkiak.
Kryetari i njësisë bashkiake nr. 8, karrierën politike e nisi në zgjedhjet e vitit 2003.
Së bashku me disa miq të tij, drejtonte shoqatën “Tirana”, një grupim civil që për gjithë këto vite ka promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore dhe asaj qytetare të qytetit, të cilën e ka shikuar dhe si një instrument për të komunikuar me shoqërinë dhe me organizma të rëndësishme homologe komunitare.
Pikërisht në krye të shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj, krijoi profilin e një drejtuesi që mbrojti me forcë vlerat e njerëzve që përfaqësonte.
Edhe pse pa bërë bujë, Arben Tafaj, ka qenë lobues i ndërtimit të pedonales në rrugën “Murat Toptani”, kur dolën themelet e Kalasë së vjetër të Tiranës.
/r.e/