Ndërron jetë gazetari Aristir Lumezi, vuante nga një sëmundje e rëndë

TIRANË, 10 korrik /ATSH/ Gazetari i njohur Aristir Lumezi ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare.
Mësohet se Lumezi është ndarë nga jeta ditën e sotme (10 korrik) pasi prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.
Më një përvojë të gjatë prej dy dekadash, Aristir Lumezi ka dhënë një kontribut të vyer në median e shkruar shqiptare dhe atë vizive.
Gazetari Aristir Lumezi spikati si reporter i politikës në shtypin shqiptar përgjatë 20 viteve të fundit. Ai drejtoi me maturi dhe profesionalizëm disa redaksi të të përditshmeve kryesore në vend dhe për disa vite u dallua si zëvendës/ kryeredaktor dhe kryeredaktor i gazetës “Panorama”.
Varrimi do të bëhet ditën e enjte, datë 11 korrik, në orën 12:00. Ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet në ambientet e Funeral Home Parajsa, në rrugën “Muhedin Llagani”.
Trupi i pajetë i gazetarit do të prehet përgjithmonë në varrezat e Sharrës në Tiranë.
Pritjet për ngushëllime do të zhvillohen po tek Funeral Home Parajsa në datat 12 dhe 13 korrik nga pra 10:00-13:00 dhe nga ora 17:00-20:00.
Stafi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve për këtë ndarje të parakohshme nga jeta.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të gazetarit Aristir Lumezi.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Balla e përshkruan gazetarin Lumezi si një mik të mirë dhe korrekt në profesion.
“Një mik i mirë dhe një gazetar korrekt si Aristir Lumezi nuk ia doli dot në betejën me një sëmundje të rëndë. U prehsh në paqe Aristir!”, shkruan ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Edhe Manja shprehet i keqardhur për ndarjen para kohë nga jeta të Aristir Lumezit. Ministri Manja e konsideron gazetarin Lumezi si një mik të vërtetë, ndërsa lajmi i ndarjes nga jeta e kapi në befasi.
Ministri i Drejtësisë teksa vlerëson personalitetin e Aristir Lumezit, kujton bisedën e fundit më te, që siç shprehet Ulsi Manja “ishin gjithmonë për të më përgëzuar apo për të më dhënë ndonjë këshillë për komunikimin tim publik, por kurrë për hallet ose punët e tij”.
Për Ulsi Manjën, gazetari Aristir Lumezi ishte një burrë fisnik që interesohej për hallet e të tjerëve.
“Ky ishte Aristir Lumezi, specie në zhdukje e gazetarisë korrekte dhe e lajmit “lajm”, pa cënuar askënd në nder e dinjitet dhe gjithmonë besnik i mbrojtjes së interesit publik dhe të vërtetës”, shkruan Manja, i cili thekson se do t’i mungojë familjes, miqve dhe shokëve, por mbi të gjitha gazetarisë.