E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërron jetë ish-ministrja e Kulturës, Esmeralda Uruçi

Zonja Uruçi, u përfshi në një aksident rrugor më 17 dhjetor të vitit të shkuar dhe që prej asaj kohe ndodhej në spital.

Nga aksidenti mbeti i plagosur edhe bashkëshorti i saj, Dashamir Uruçi. Makina me të cilën udhëtonte bashkë me të shoqin u përplas nga një automjet tjetër teksa po shkonte në drejtim të Durrësit. Uruçi ka qenë për disa kohë në krye të LSI-së së Shkodrës, por më pas vendosi që të japë dorëheqjen.

Ministria  e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së ish Ministres të Kulturës, Znj. Esmeralda Uruçi, e cila u nda nga jeta sot në moshën 51 vjeçare.

Homazhet për nder të saj do të organizohen ditën e enjte ora 10.00- 11.00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Veprimtaritë

Prof. Dr. Esmeralda Uruçi është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë dhe në Fakultetin e Drejtësisë me rezultate të shkëlqyera. Ajo ka qenë lektore në disa universitete të vendit, Dekane e Fakultetit të Ekonomisë, Drejtore e Marrëdhënieve me Publikun në Bankën e Shqipërisë, Ministre e Kulturës, Rinisë e Sporteve e të tjerë. 

Prof. Esmeralda Uruçi ka kryer disa specializime dhe kërkime shkencore si në Universitetin e Padovas, Perugia-s dhe Bologna-s në Itali; në Universitetin TEI të Pireut (Greqi); në Universitetin e Lubjanës (Slloveni); Universitetin e Nebraskës, SHBA; në shkollat pasuniversitare në Olstyn (Poloni); Bari (Itali); Athinë (Greqi)
si dhe kualifikime në sistemin bankar, në Gjermani,  Çeki dhe në Bankën Qendrore Evropiane.

Aktiviteti i saj  pedagogjik e shkencor është i gjerë dhe i gjithanshëm. Drejton dhe merr pjesë në disa projekte kërkimore e shkencore. Është autore e disa teksteve universitare. Botimet brenda dhe jashtë vendit
përbëjnë veprimtarinë publicistike me tema që kryesisht prekin probleme ekonomike të periudhës së tranzicionit. Ajo ishte e angazhuar si Zëvendës Dekane në Fakultetin e Ekonomisë dhe të Administrimit pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Gjithashtu, ishte e angazhuar si pedagoge jo efektive pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër.  

/Start/

                                                                                             2012-03-21 14:24
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›