Ndërron jetë në moshën 82-vjeçare lideri pionier i grupit funk “Sly and the Family”, Sly Stone

Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare, ylli i funk-rock që udhëhoqi grupin “Sly and the Family Stone”, Sly Stone.
Lajmin i trishtë u njoftua nga familjarët e tij, të cilët bënë me dije se Stone ndërroi jetë pas betejës së gjatë me COPD, një sëmundje të mushkërive që e vështirëson frymëmarrjen, dhe probleme të tjera shëndetësore.
“Sly ishte një figurë monumentale, një novator inovativ dhe një pionier i vërtetë që ripërcaktoi peizazhin e muzikës pop, funk dhe rock. Këngët e tij ikonike kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në botë dhe ndikimi i tij mbetet i pamohueshëm“, tha familja e tij.
Stone u bë i famshëm në vitet 1960 dhe 1970, pasi filloi si DJ në San Francisko. Stone, emri i vërtetë i të cilit ishte Sylvester Stewart, nisi të këndonte muzikë gospel me vëllezërit dhe motrat e tij në një moshë të re.
Ai e filloi karrierën e tij si DJ për stacionet radiofonike në Kaliforni dhe më pas formoi një grup muzikor që përfshinte edhe vëllain e tij, të quajtur Sly and the Family Stone.
Fillimisht, ky grup luante muzikë gospel, por me kalimin e kohës u bënë të njohur për përzierjen e stileve muzikore duke përfshirë psikedelinë dhe funkun.
Kur grupi publikoi këngën “Dance to the Music” në vitin 1967, ajo arriti vendin e 8-të në listën e këngëve pop të Billboard.
Ata luajtën një set të paharrueshëm në Festivalin e Woodstock-ut të vitit 1969 dhe para turmave në koncertin “Summer of Soul” në Harlem po atë vit.
“Stone “kohët e fundit përfundoi skenarin për historinë e jetës së tij, një projekt që mezi presim ta ndajmë me botën në kohën e duhur“, tha familja e tij.
Sly u rikthye në skenë në ndarjen e çmimeve Grammy në vitin 2005, por u shfaq publikisht vetëm disa herë pas kësaj.
/rtsh.al/