Sekiraqa dëshmitar kundër “Grupit të Llapit”

I shumëkërkuari nga policia për vrasjen e policit Triumf Riza, e që është vetëdorëzuar disa muaj më parë në EULEX, Enver Sekiraqa, pritet të dëshmojë në procesin gjyqësor kundër Rrustem Mustafës - Remi, Latif Gashit - Lata dhe Nazif Mehmetit - Nazi.
Sekiraqa është njëri prej dëshmitarëve të rinj që do të paraqesë prokuroria para gjyqit, e i cili nuk ka dëshmuar asnjëherë që nga paslufta. Sekiraqa kishte deklaruar në një intervistë se është mbajtur si i burgosur në një ahur në fshatin Llapashticë dhe ishte rrahur nga Latif Gashi, i cili po ashtu i kishte kërkuar një shumë prej 600 mijë markash, shkruan tribuna.
Në seancën e parë gjyqësore, ku ka nisur për herë të tretë rigjykimi ndaj “Grupit të Llapit”, është diskutuar për ditarin e luftës së komandant Latës. Ditari i luftës i ish-komandantit të UÇK-së, Latif Gashi është zhdukur diku. Ditari, i cili nga mbrojtja konsiderohet si prova kryesore në rigjykim, sipas prokurorit, ai nuk dihet se ku gjendet. Latif Gashi dhe Rrustem Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës, bashkë me Nazif Mehmetin, akuzohen për krime kundër popullatës civile në periudhën tetor 1998 - prill 1999./Indeksonline/