E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndërtimet pa leje në zonën e Patokut në Kurbin, prokuroria dërgon dosjen për gjykim

Prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen penale për ndërtimet pa leje në zonën e Patokut në Kurbin. Në lidhje me këtë çështje, organi i akuzës ka marrë të pandehur 8 persona, mes të cilëve ish-drejtori Flori Gjini dhe ish-kryeinspektori vendor i Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kurbin, Jetmir Mxhika.

Ndaj tyre dhe 5 zyrtarëve të tjerë, Xhevalin Fufi, Ndoc Pjetri, Shan Preçi, Rivelino Ismajlaj dhe Artur Përdoda, është ngritur akuza e “Shpërdorimit të Detyrës” e kryer në bashkëpunim, pasi kanë lejuar ndërtime pa leje në zonën e mbrojtur të Patokut. Ndërsa i pandehur për veprën penale “ndërtim i paligjshëm” është marrë vetëm Nikoll Frangaj. Për 8 persona të tjerë është kërkuar pushimi i hetimeve, pasi organi i akuzës ka dalë në konkluzionin se nuk ka elementë të veprës penale.

Hetimet në lidhje me këtë çështje janë kryer nga prokurori Arben Nika dhe tashmë do të jetë gjyqtari Lirim Bulica, i cili do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim themeli në Gjykatën e Lezhës. Procedimi penal në lidhje me ndërtimet pa leje në zonën e Patokut në Kurbin u regjistrua në vitin 2023, kur një i moshuar që po hetohej për shtesë pa leje i dha shkak prokurorisë për zbulimin e skandalit të ndërtimit pa leje në zonën e mbrojtur të Lagunës së Patokut në Kurbin.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›