E Hënë, 2 Nëntor 2026

Raste kur presidentët amerikanë kanë amnistuar të afërmit

Në ditët e fundit në detyrë, presidenti amerikan Joe Biden amnistoi të birin në proces gjyqësor në lidhje me një çështje ku akuzohej për evazion fiskal dhe një tjetër ku akuzohej se kishte dhënë një deklaratë të rremë kur kishte blerë një armë zjarri. Joe Biden u bë kështu i pari president amerikan që amniston të birin, por jo i pari që nënshkruan amnisti për një të afërm.

Vetë presidenti i zgjedhur Donald Trump, i cili kritikoi lëvizjen e Biden, pak kohë para se t’i mbaronte mandati i parë si president, nënshkroi në 2020-ën amnisti për krushkun e tij Charles Kushner, i ati i dhëndrit Jared Kushner, dënuar në 2005-ën me dy vite burg pasi ishte vetëdeklaruar fajtor për akuza si evazioni fiskal apo edhe kontribute të jashtëligjshme në fushata. Charles Kushner ndërkohë po konsiderohet si kandidat për ambasador të SHBA-së në Francë dhe Trump atë e ka cilësuar si një udhëheqës të jashtëzakonshëm biznesi dhe filantrop.

Në ditët e fundit në detyrë, në 2001-in, presidenti i atëhershëm Bill Clinton fali vëllain e tij Roger Clinton, i cili në 1985-ën ishte dënuar për një vepër penale në lidhje me lëndët narkotike dhe Roger kaloi një vit pas hekurave. Gjatë asaj kohe iu nënshtrua shqyrtimit të republikanëve që e hetuan për përfitim fondesh të mëdha nga burime të huaja.

Billy Carter, vëllai i presidentit Jimmy Carter, u nënshtrua një procesi gjyqësor pasi u përpoq të siguronte marrëveshje biznesi me Libinë, me shpresën se do të kishte fitime të mëdha. Megjithatë, në tetor të 1980-ës, pak para se Jimmy Carter të humbte presidencialet, një nënkomitet i senatit doli në përfundimin se Billy nuk kishte ndikuar në politikën amerikane. Pavarësisht se presidenti Carter nuk i doli hapur në mbrojtje të vëllait, ai nënshkroi amnistinë për të.

Abraham Lincoln, presidenti i 16-të i SHBA-së, gjatë mandatit të tij amnistoi disa individë, mes të cilëve 265 indianë të Dakotës, një kongresmen të Ohajos, bashkëshorten e gjeneralit të Konfederatës Benjamin Hardin Helm që ishte edhe kunata e tij.

Por ndërsa veprat penale të krushkut të Trump dhe vëllait të Klinton u fshinë pasi vuajtën dënimet e tyre me burg, amnisita për Hunter Biden vjen para se ndaj tij të jepej masa e dënimit.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›