Ndërtimet pa leje,mbeten problem për kryeqytetin
Legalizimi i ndërtimeve pa leje si dhe planet e bashkisë për urbanizimin e zonave të veçanta mbetet ende një problem madhor për kryeqytetin. Një nga këto probleme është dhe projekti i Bashkisë së Tiranës për urbanizimin e zonës së Kodrës së Priftit në Minibashkinë numër 3. Ky projekt kërkon dhe prishjen e disa shtëpive të cilat nuk janë në vijën e planit urbanizues. Sipas njërit prej blerësve të truallit vendimi i K.K.R.T-se për prishje të objektit nr7/36 në rrugën Sadik Petrela është në kundërshtim me planet e projektuara të bashkisë për legalizimin urbanizimin dhe Integrimin e ndërtimeve pa leje. Kjo tregohet dhe nga genplani i dalë nga zyra e rregjistrimit të pasurive të paluajtshme ku projekti i Bashkisë tregon qartazi vijën ndarëse ku do të ndërhyet për urbanizim. Krahas kësaj disa nga banorët e kësaj zone kanë dërguar dhe kërkesë padi në prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë për mashtrim nga persona të tretë të cilët sipas tyre u kanë shitur tokat dhe u kanë premtuar legalizimin e tyre. Ky është njëri prej disa problemeve të shumta që kanë zona të ndryshme në kryeqytet dhe që përballen me kalvare të gjata procedurash për legalizimin e ndërtimeve pa leje por edhe me planet urbanizuese të Bashkisë.