E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndertimi i xhamise se madhe te Tiranes

Avancimi i procedurave për ndërtimin e xhamisë së madhe të Tiranës, si dhe problemet që dalin për realizimin e saj ishin pjesë e diskutimeve të takimit që zhvilloi Kryeministri Sali Berisha me zotin Haxhi Selim Muça, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Kryeministri shprehu kënaqësinë që ka filluar puna e projektimit të kësaj xhamie, që do të ngrihet në vendin tradicional dhe historik të Namazgjasë.

“Ajo jo do të jetë xhamia e të gjithë shqiptarëve dhe një monument i shkëlqyer i arkitekturës islame, që do të mishërojë edhe traditën e gjatë dhe origjinale të xhamive shqiptare. Duhet të kujtoj me këtë rast se hapja e xhamisë së Ethem Beut në Tiranë për shërbimet fetare ka qenë një nga veprimet e para të Partisë Demokratike,” - u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha e siguroi zotin Haxhi Selim Muça se qeveria do të marrë të gjitha masat dhe do të japë të gjithë mbështetjen që punimet për xhaminë e re të fillojnë në muajin mars.

Gjithashtu dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha, që mori pjesë në takim, e garantoi zotin Haxhi Selim Muça për përfundimin e shpejtë të procedurave të dhënies së lejes së ndërtimit, sapo projekti të jetë dorëzuar.

Në takim mori pjesë edhe drejtori i Fondacionit Sema, zoti Mustafa Oxhan, i cili është një nga financuesit e këtij ndërtimi. Zoti Haxhi Selim Muça shoqërohej nga arkitekti i xhamisë, nga nënkryetarët e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu dhe Gazmend Aga, si dhe kancelari Ali Zaimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›