E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimi ilegal në plazh trondit Policinë/ Hita pezullon zinxhirin drejtues në Sarandë

Një tjetër skandal me ndërtime pa leje ka plasur në bregdetin shqiptar, këtë herë në Sarandë, ku një operacion i Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka çuar në arrestimin e 8 personave dhe ndalimin e 4 efektivëve të policisë, mes tyre edhe shefi i Komisariatit të Sarandës.

Gjithçka nisi pas informacioneve të mbërritura në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për një ndërtim të paligjshëm në një hapësirë plazhi në lagjen nr. 1 të Sarandës. Sipas të dhënave zyrtare, në një objekt të përbërë nga disa struktura, një pjesë e tyre të ngritura në ujë, po kryheshin punime pa asnjë leje.

Policia e Vlorës arrestoi në flagrancë 8 persona që punonin në objekt, ndërsa shpalli në kërkim pronaren e dyshuar të hapësirës së plazhit, për llogari të së cilës po kryheshin ndërtimet.

Por skandali nuk ndalet te ndërtimi pa leje. Hetimet kanë nxjerrë në pah dyshime të forta se efektivë të Policisë së Sarandës kanë mbyllur sytë përballë paligjshmërisë që zhvillohej në vijën bregdetare.

Në pranga përfunduan:

  • Komisar Gëzim Bashllari, shef i Komisariatit të Policisë Sarandë;
  • Nënkomisar Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve;
  • Nënkomisar Ajdin Ismailaj, specialist i rendit;
  • Inspektor Robert Çullaj, specialist zone.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “Shpërdorim detyre”, “Kryerje veprimesh arbitrare” dhe “Mosmarrje masash për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme”, vepra të dyshuara se janë kryer në bashkëpunim dhe jo vetëm për këtë rast.

Pas shpërthimit të skandalit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të katër punonjësve të policisë, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur procedurat për përjashtimin e tyre nga radhët e Policisë së Shtetit.

Po ashtu është pezulluar edhe shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Sarandës, Komisar Blerim Tafçiu, pasi nuk është paraqitur për t’u marrë në pyetje gjatë veprimeve hetimore të kryera nga AMP.

Ndërkohë, IKMT, IMT dhe Policia Bashkiake kanë ndërhyrë për shembjen e ndërtimeve pa leje, që sipas autoriteteve ishin ngritur në mënyrë të paligjshme në zonën bregdetare.

Rasti ka ngritur pikëpyetje të forta mbi kontrollin e territorit në një nga zonat më të ndjeshme turistike të vendit dhe mbi rolin e efektivëve që kishin detyrë të ndalonin paligjshmërinë, por që përfunduan vetë nën hetim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›